Vajza e avokatit personal të presidentit Trump, Rudy Giuliani, Caroline, i ka dhënë përkrahje rivalit të shefit të babit të saj, Joe Biden, për zgjedhjet presidenciale, duke shkruar se askush nuk mund të jetë i qetë në këtë kohë.
Aktorja dhe shkrimtarja që jeton në Los Angeles, e kishte përkrahur Hillary Clintonin në vitin 2016 dhe kishte votuar për Barack Obaman më 2012. Ajo ka bërë të ditur se që nga fëmijëria ka pasur debate me babanë rreth të drejtave të komunitetit LGBT, politikës dhe temave të tjera.
Rudy Giuliani më herët ka shërbyer si kryetar i Nju Jorkut dhe tash është avokat personal i presidentit amerikan. Ai njihet si një ndër përkrahësit më të mëdhenj të kreut të Shtëpisë së Bardhë, madje edhe gjatë kohës së hetimeve rreth ndërhyrjes së Rusisë dhe gjatë krizës së pandemisë.
“Ne duhet të qëndrojmë dhe të luftojmë. Rruga e vetme për t’i dhënë fund këtij ankthi është duke votuar. Ka shpresë në horizont, por do ta arrijmë këtë vetëm nëse i zgjedhim Joe Bidenin dhe Kamala Harrisin”, shkroi Caroline Rose Giuliani.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen më 3 nëntor. Shumë figura të njohura dhe një revistë e respektuar kanë dalë publikisht në përkrahje të Joe Bidenit, i cili vazhdimisht ka pasur epërsi në sondazhe.