Ushtria greke është vendosur në alarm të plotë pas fillimit të kërkimeve nga anija turke “Oruç Reis” në jug të ishullit Kastelorizo.
“Kathimerini” raporton duke iu referuar autoriteteve greke se ushtria është në alarm të plotë duke ndjekur ecurinë e anijes, turke e shoqëruar edhe nga fregata dhe korveta ushtarake që po kryen kërkime në Zonën Ekskluzive Ekonomike të Greqisë.
Aktualisht, sipas mediave greke, “Oruç Reis” dhe anijet që e shoqërojnë janë rreth 30 milje larg ishullit grek Kastelorizo dhe ka ulur shpejtësinë e lundrimit, ç’ka tregon se po bëjnë kërkime.
Sipas parashikimeve, anijet turke mund të futen në brendësi të 12 miljeve greke të premten ose të shtunën, gjë e cila nëse ndodh, do t’i vendoste greket përballë detyrimit për të përdorur armët, referuar asaj që kanë deklaruar deri më tani.
Turqia këmbëngul se ishulli Kastelorizo, shumë larg Greqisë, nuk mund të krijojë një Zonë Ekskluzive Ekonomike aq të madhe sa të “burgose” turqit në tokë.
Nisur nga kjo, turqit nuk e njohin Zonën Ekskluzive Ekonomike të këtij ishulli duke kryer kështu kërkime për interes të tyre në këtë zonë.