
Një zëdhënës i ushtrisë egjiptiane tha të dielën se forcat ushtarake i kanë vrarë 126 militantë gjatë një operacioni të sigurisë në Gadishullin Sinai, që shtrihet në pjesën verilindore të vendit, përgjatë kufirit me Izraelin.
Përmes një deklarate, koloneli Tamer al-Refai tha se ushtria i ka kryer 22 bastisje dhe 16 operacione, duke shtuar se tetë tunele në kufi me Gazën janë shkatërruar.
Pa dhënë ndonjë hollësi, al-Refari tha se rreth 15 ushtarë egjiptianë janë vrarë ose janë plagosur gjatë këtyre operacioneve.
Gadishulli Sinai ka qenë epiqendër e kryengritjes së militantëve nga viti 2013, kur ushtria e Egjiptit e rrëzoi nga pushteti ish-presidentin Mohamed Morsi – presidentin e parë egjiptian të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Morsi vdiq në qershor të vitit të kaluar përderisa po mbahej në burg dhe po gjykohej për akuzat për spiunazh, shkruan “Anadolu”.
Ushtria e Egjiptit në fillim të vitit të kaluar e kishte kryer një operacion të gjerë për t’i luftuar militantët e lidhur me ISIS-in në këtë gadishull.