Mëngjesi i 26 nëntorit të vitit 2019 nuk ishte i zakonshëm për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata morën urdhrin që të nisen për të ndihmuar Shqipërinë, meqë vendin atje e kishte goditur një tërmet prej 6.4 shkallë. Njerëz të ngujuar nën objekte, ndërtesa të shembura e panik në të gjitha familjet atje kishte shkaktuar ngjarja që pastaj u bë tragjike për Shqipërinë, pasi dhjetëra njerëz humbën jetën, qindra u lënduan dhe mijëra të tjerë u prekën indirekt nga pasojat shkatërrimtare të këtij tërmeti.
Njësia e kërkim-shpëtimit të FSK-së, dhe ajo e K9, njësia e cila operon me qentë, do t’u dilnin në ndihmë banorëve të Durrësit dhe Thumanës, vende këto në të cilat tërmeti kishte goditur më shumë.
Ata do të gërmonin nën objektet e rrënuara për të nxjerrë trupat që kishin mbetur të ngujuar si pasojë e lëkundjeve të tokës.
Operacione të kërkim-shpëtimit pa ndërprerë, ditën dhe natën, deri në nxjerrjen e të gjithë trupave, i kujton fare mirë rreshter-major Lulëzim Rexhepi, nënoficeri i parë i kompanisë së kërkim-shpëtimit.
“Ne jemi nisur menjëherë pas urdhrit, më 26 nëntor, kemi arritur atje, dy ditët e para dhe një natë kemi vepruar pa ndërprerë gjatë aksionit në kërkim dhe shpëtim, nxjerrje të njerëzve, gjithë ajo punë ka shkuar shumë mirë në mënyrë profesionale, ka qenë punë e mundimshme, e lodhshme e stresuese por mbi të gjitha ia kemi arritur qëllimit për çka edhe kemi shkuar atje”, tregon ai.
Përveç Durrësit, dëme të mëdha u shkaktuan edhe në Thumanë. Madje, pas tërmetit të mëngjesit të hershëm të 26 nëntorit, Shqipëria u përball me dridhje të tjera të vazhdueshme të tokës edhe ditët pasuese por që ishin të shkallës më të vogël.
Kjo bëri që banorët të qëndronin në panik se mos do të shembeshin edhe ato ndërtesa që kishin shpëtuar me pak dëme nga goditja e parë.
Aty, ishin ngritur tenda për banorët dhe nata po kalohej si në një kamp.
Rreshter Adnan Krasniqi, i cili shërben në togun e kërkim-shpëtimit urban, tregon se gjendja në Thumanë ka qenë shumë më e rëndë se sa ai ka mundur të marrë me mend para se të nisej nga Kosova.
“Nuk e kam pritur ashtu, gjendja ka qenë më e rëndë se çfarë e kemi pritur por duke e ditur profesionalizmin tonë dhe trajnimet që ne i zhvillojmë për të qenë profesionalë në këto detyra dhe të ballafaqohesh me këto detyra, normal që kemi arritur të kemi sukses edhe pse ka qenë prekëse sigurisht, edhe ne jemi njerëz dhe kemi familje, gjendja ka qenë alarmante aty nga banorët, nga paniku, njerëzit nën rrënoja mirëpo assesi nuk biem në ndikimin e emocioneve dhe ta humbim ne profesionalizimin tonë në detyrën dhe misionin që e kemi pasur aty”, thotë ai.
Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi, qytet ky që humbi dhjetëra persona dhe pësoi shkatërrime të mëdha nga lëkundjet.
Rexhepi thotë se kamera digjitale ishte ajo që ua bëri më të lehtë kërkimin nga distanca në objektet e rrënuara.
“Ne kemi vepruar në Durrës, atje kemi pasur skuadrat e kërkim-shpëtimit urban dhe ekipin e K9, kemi bashkëpunuar me ekipet e kërkim-shpëtimit nga vendet e rajonit që kanë marrë pjesë aty, njëherit kemi qenë ekipi i parë ndërkombëtar që i kemi dalë në ndihmë autoriteteve të Shqipërisë. Kemi pas rast që kemi kërkuar e kemi nxjerrë dy persona që kanë humbur jetën dhe një person të gjallë nga gërmadhat në Durrës”, kujton ai.
Me gjithë përvojën që ka në njësinë e kërkim-shpëtimit, operacioni në Thumanë mbetët prej ngjarjeve më të dhimbshme që rreshter Rexhepi e ka përjetuar gjatë misionit të tij në FSK.
“E dhimbshme çka kemi parë të familjarët, i dëgjonim se flisnin për familjarët e tyre që i kanë nën rrënoja, ka qenë prekëse sepse kemi hasur edhe në trupa të gjallë nën rrënoja dhe me të nxjerrë për shkak të plagëve të mëdha që kanë pasur, dhe shtypjeve nga pllakat e ndryshme të betonit, kanë ndërruar jetë, kemi nxjerrë gjithashtu edhe viktima gjë që ka qenë emocionuese dhe prekëse për ne, por jo asesi që ne të ndalim kërkimin dhe të biem në ndikimin e emocioneve, kemi vazhduar punën pa ndërprerë deri në nxjerrjen e trupit të fundit nga rrënojat”, tregon ai.
Një ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, në Kosovë shënohej Dita e Forcës, por kësaj radhe vendin e gjente në ditë zie.
“Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë se e kemi kryer detyrën dhe punën tonë, nuk kemi bërë më shumë se vëllai për vëllain që bën”, kishe deklaruar komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama.
Në dhjetor të vitit që shkoi, pjesëtarët e FSK-së pranuan nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekoratën e Artë të Shqiponjës, në shenjë falënderimi për ndihmën e dhënë pas tërmetit në Shqipëri.
Nuk kishte munguar as falënderimi për qenin e njohur të FSK-së që ishte pjesë e kërkim-shpëtimit. I njëjti kishte arritur të lokalizojë një person që u nxor i gjallë nga rrënojat në Thumanë dhe kishte lokalizuar edhe trupa të pajetë nën rrënoja.
Tërmeti i 26 nëntorit preku në mënyrë direkte dhe indirekte 202 mijë persona dhe shkaktoi një bilanc me 51 viktima dhe 913 të plagosur. 11 bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.