Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është përballur me një valë kritikash nga miqtë e Kosovës pas publikimit të një videoje zyrtare, ku ajo uronte Rumaninë dhe Bullgarinë për anëtarësimin e tyre në zonën Schengen.
Në këtë video, Kosova ishte paraqitur si pjesë e Serbisë, çka nxiti zemërim të madh në rrjetet sociale.
Qytetarë, aktivistë dhe figura publike shprehën indinjatën e tyre, duke kritikuar përfshirjen e një gabimi të tillë në një mesazh zyrtar.
Një prej zërave më të fortë ishte politikania gjermane Doris Pack, e cila reagoi publikisht duke e pyetur Von der Leyen: “Ku është shteti i Kosovës?”
Pas kritikave të shumta dhe një presioni të gjerë publik, videoja kontestuese u hoq nga profili i Ursula von der Leyen në platformën X (ish-Twitter).