Udhëheqësja e Kushtetueses e ka uruar Albin Kurtin për pozitën e re, duke i thënë se ky moment është me rëndësi të veçantë për Kryeministrin dhe për qytetarët.
“I nderuar Kryeministër, shfrytëzoj rastin t’ju shpreh konsideratën time më të lartë dhe t’ju uroj suksese në detyrat e rëndësishme që keni përpara”, ka shkruar Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Albin Kurti është votuar për Shef të Qeverisë të hënën pasdite derisa Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese i ka dërguar urimin të nesërmen, më 23 mars. Qeveria e ka publikuar letrën e Arta Rama-Hajrizi tri ditë më vonë.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me Kryetaren Arta Rama-Hajrizi, e cila ka kërkuar t’i dërgohen pyetjet te Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim, Veton Dula. Por, ende s’i kanë kthyer përgjigjet në pyetjen se:
A është praktikë e demokracive parlamentare që Gjykata Kushtetuese të urojë Kryeministrin për marrjen e mandatit?
A e cenon ky veprim integritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe besimin e qytetarëve në këtë institucion?
Sikurse jeni në dijeni, Qeveria e Kosovës është palë e autorizuar për të ngritur çështje në Gjykatë Kushtetuese. Kjo letër a mund të perceptohet si vetënënshtrim?
Kur në maj të vitit 2015, Arta Rama-Hajrizi ishte votuar për Shefe të Gjykatës Kushtetuese në pozitën e Kryeministrit kishte qenë Isa Mustafa, të cilit nuk i kishte dërguar asnjë letër urimi ose letër për thellim të bashkëpunimit.
Ish-Kryeministri Isa Mustafa ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se nuk i kujtohet nëse Kryetarja e Kushtetueses t’i ketë dërguar urim me shkrim për shprehjen e dëshirave për bashkëpunim.
Mustafa thotë se ky urim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për Kryeministrin e ri ka kuptim pasi i njëjti institucion e kishte rrëzuar Qeverinë e kaluar për t’i hapur rrugë zgjedhjeve që rikthyen Albin Kurtin në krye të Ekzekutivit.
“Por ajo qe është shumë e qartë është se në këtë Qeveri e solli në pushteti Gjykata Kushtetuese e cila rrëzoi Qeverinë dhe Kuvendin e kaluar me një aktgjykim të çuditshëm. Prandaj edhe urimi e ka kuptimin e vet. Është edhe një garancion shtese se “ne jemi këtu, s’ka kush çfarë të bënë””, ka thënë ish-Kryeministri Mustafa.
Edhe më 9 shtator 2017, Arta Rama-Hajrizi ishte Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, kur Kryeministër i Republikës ishte votuar Ramush Haradinaj.
Ajo nuk i kishte dërguar letër urimi Kryetarit të AAK-së për pozitën që kishte marrë.
“Jo”, ka thënë shkurt Besnik Tahiri teksa është pyetur nëse ka pasur ndonjë urim nga Rama-Hajrizi për Ramush Haradinajn.
Ish-Kryeministri Avdullah Hoti nuk ka folur lidhur me letër urimin e shefes së Kushtetueses dërguar kreut të Ekzekutivit të ri.
Arta Rama-Hajrizi është gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese prej vitit 2012. Më 2015 merr mandatin e parë si Shefe e Gjykatës Kushtetuese ndërsa më 22 maj 2018 ka marrë mandatin e dytë. Më herët këtë pozitë e kishte mbajtur Enver Hasani.
Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese e sheh letrën e Arta Rama-Hajrizi si diçka të shëmtuar që ndikon drejtpërdrejtë në pavarësinë e institucionit. Madje thotë se s’ka askund tjetër praktikë të tillë kur kreu i Kushtetueses uron Shefin e Qeverisë.
“Kjo është gjë e shëmtuar. Nuk mund të jetë praktikë asnjëherë. Kurrë në mandatin tim nuk ka mund të paramendoni një gjë e tillë. As në pritjet protokollare nuk janë ftuar kurrë shefi i ekzekutivit në kohën tim”, thotë Hasani, në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”.
“Askund nuk ekziston një praktikë e tillë veçse cenon pavarësinë e Gjykatës”, vlerëson Hasani.
Ish-udhëheqësi i Gjykatës Kushtetuese e sheh problematike letrën e Arta Rama-Hajrizit edhe për faktin se partitë politike kanë ende kohë për të kontestuar votimin e Qeverisë së re të Albin Kurtit.
“Përveç kësaj, kjo rënd komprometon pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese sepse akoma janë të hapura afatet ligjore që kanë të bëjnë me nisjen e procedurave pranë saj lidhur me kushtetutshmërinë e formimit të Qeverisë dhe Kuvendit. Kjo e bën edhe më të shëmtuar një urim të tillë sepse rrëzon përtokë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.
Hasani ka thënë se në kohën e tij as fotografia e shefit të Shtetit nuk ishte vendosur në hapësirat e Gjykatës Kushtetuese pasi përbën konflikt të interesit.
“Nuk ka logjikë pala të jetë në fotot nëpër hapësirat e Gjykatës Kushtetuese. Në pritjet protokollare ndërkaq, Kuvendi dhe Shefi Shteti ftohen po edhe aty asnjëherë nuk guxojnë të paraqiten si folës. Dmth Gjykata Kushtetuese duhet edhe formalisht të demonstroj pavarësinë e saj”, ka thënë ai.
Edhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se kurrë më herët asnjë Kryetar Gjykate nuk ka dërguar letër-urimi Kryeministrit.
“Nuk kemi pasur një praktikë të tillë kur isha pjesë e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kryeziu derisa nuk ka dashur të komentojë për më shumë.
Albin Kurti kishte acaruar raportet me Gjykatën Kushtetuese, sidomos në kohën në maj të vitit 2020, kur trajtohej dekreti i Presidentit të atëhershëm për mandatin e Avdullah Hotiti për Kryeministër. Kushtetuesja i kishte cilësuar si presion dhe kërcënime deklaratat e Albin Kurtit si Kryeministër në detyrë.
“Gjykata Kushtetuese siguron publikun se nuk do t’i nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve të tilla, dhe se nuk ka nevojë për mbrojtje politike apo publike nga askush, sepse Kushtetuta dhe ligji i ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, shkruante në reagimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 19 maj 2020.
Arta Rama-Hajrizi do të jetë në krye të Gjykatës Kushtetuese edhe 57 ditë kur edhe i përfundon mandati. Para se të bëhej pjesë e Gjykatës Kushtetuese, ajo nga vitit 2008 deri më 2012 ka mbajtur pozitën e Konsulle e Përgjithshme e Konsullatës së Kosovës në New York. Mban edhe pozitën e ligjërueses në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës ku i vazhdon edhe studimet e doktoratës.