Uragani “Helene”, i cili ka shkaktuar dëme masive dhe viktima në Floridë, ka goditur edhe dy shtete të tjera amerikane, duke rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve të konfirmuara në 63 persona.Ndërkaq, meteorologët paralajmërojnë se kjo mund të mos jetë shtrëngata e fundit katastrofale e këtij sezoni.
Autoritetet në SHBA kanë thënë se uragani “Helen”, i cili ka shkaktuar dëme masive dhe viktima në Florida ka vazhduar të përhapet duke goditur edhe shtetet federale Karolina veriore dhe Tenesee.
Edhe pse fuqia e erërave ka rënë, vërshimet e shkaktuara nga të reshurat po vazhdojnë të rrezikojnë jetën dhe pronat e banorëve të rajoneve të goditura. Sipas njoftimeve, si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga “Helen”, deri më tani, është konfirmuar vdekja e së paku 63 personave përderisa së paku 20 të tjerë janë të raportuar si të zhdukur.
Si pasojë e vërshimeve në Karolinën veriore, së paku dy qytete janë izoluar tërësisht nga pjesa tjetër e vendit përderisa ekipet emergjente, të përkrahura me helikopterë dhe mjete të specializuara po punojnë në evakuimin e personave më të rrezikuar. Gjithashtu është raportuar se, për shkak të dëmeve në rrjet elektrik, dhjetëra mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike.
Edhe pse “Helen” besohet të jetë njëri prej uraganeve më të fuqishëm që goditi këtë pjesë të SHBA-së, meteorologët kanë paralajmëruar se ky mund të mos jetë uragani i fundit katastrofik pasi që sezoni i uraganeve përfundon tek me 30 nëntor, lehtë mund të ndodhë se SHBA-të do të ballafaqohen me shtrëngata edhe më të fuqishme gjatë javëve të ardhshme./rtk