Në mars të vitit 2013 nga reshjet atmosferike ishte rritur niveli i lumit Drini i Bardhë ku si pasojë këmba e katërt e urës në fshatin Rogovë kishte rënë më poshtë duke e humbur strukturën e saj.
Banorët thonë se nga ajo kohë nuk është bërë më asnjë intervenim në të nga institucionet komunale dhe ato qendrore.
Të reshurat e fundit bënë që kjo këmbë të lëvizë edhe më shumë duke e humbur tërësisht nivelin strukturor të saj.
Sipas banorëve, tashmë rreziku është real pasi nuk rekomandohet kalimi me pesha të rënda pasi si pasojë mund të vijë deri te shembja e kësaj ure e cila do të ishte fatale për Rogovën dhe Hasin në përgjithësi.
Banorët e këtij fshati ju kanë bërë apel institucioneve lokale dhe qendrore që të intervenojnë sa më shpejtë që të jetë e mundur pasi që rrezikohet shembja e urës së Rogovës, e cila mund të rrezikojë edhe jetë njerëzish.