Shkencëtarët britanikë e kanë zhvilluar një mënyrë të shpejtë testimi për konroavirus, për të cilën thonë se e zbulon sëmundjen e re për më pak se pesë minuta.
Ekipi i hulumtuesve në universitetin e njohur tha se shpreson që ky lloj testi të jetë i gatshëm të shpërndahet në tërë vendin nga mesi i vitit të ardhshëm.
Ky test funksionon përmes një vegle të vogël që vendoset në hundë dhe që skanon antigjenë, të cilët janë proteina që ndodhen në sipërfaqen e mikrogrimcave të virusit, shkruan Daily Mail.
Sipas një hulumtimi të vogël në lidhje me efikasitetin e testit të ri, ai gjithashtu mund ta dallojë koronavirusin nga infeksionet tjera si gripi i zakonshëm.
Nëse vërtetohet se kjo formë testimi funksionon në masë të gjerë, pajisja do të jetë tri herë më e shpejtë se testet e tanishme që cilësohen si të shpejta dhe që po vlerësohen nga qeveria britanike.
Në bazë të hulumtimeve, të cilat ende nuk janë vlerësuar nga ekspertët tjerë, pajisja e re ofron diagnozë të saktë në 98 për qind të rasteve.
Ndryshe, ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se bota do të jetojë me koronavirusin edhe pas zbulimit të vaksinës, sepse nuk dihet sa do të zgjasë imuniteti si dhe shpërndarja e vaksinave për të gjithë do të jetë mjaft sfiduese.