Sipas mediumeve spanjolle, Manchester Unitedi ka shprehur interesim për një nga lojtarët e Real Madridit, i cili duket të jetë i nderuar me këtë interesim.
Jemi vetëm pak ditë qëkur Ruben Amorim e mori drejtimin e Manchester Unitedit, dhe spekulimet rreth transferimeve sapo kanë filluar, me portugezin që po bëhet gati për t’u përballur me Ipsëichin këtë të shtunë.
Më herët gjatë kësaj jave ishte raportuar se Unitedi po tenton transferimin e një mbrojtësi të majtë, për sistemin e ri të Amorimit, me Alphonso Davies e Milos Kerkez që u lidhën me një kalim në “Old Trafford”.
Pedro Porro, i cili e njeh Amorimin që nga koha e Sportingut, ishte lidhur po ashtu me një transferim te klubi nga Manchesteri.
Dhe tani, raportimet nga Spanja kanë bërë me dije se Manchester Unitedi ka kontaktuar me përfaqësuesit e mesfushorit francez, Eduardo Camavinga.
Camavinga, i cili tashmë veçse e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve në tri vite si lojtar i Real Madridit, është ndjerë i vlerësuar nga interesimi i Unitedit, raporton “Bernabeu Digital”.
Por, ky tentim ambicioz i Unitedit ka dalë të jetë i pasuksesshëm, pasi Camavinga është i vendosur të mbetet në Madrid edhe për shumë vite të tjera.
Mirëpo, ky qe një lajm pozitiv për tifozët e Unitedit, pasi pronarët duket të jenë të gatshëm të “thyejnë bankën” për të nënshkruar me lojtarë të rinj, madje qysh në janar.
Ishte raportuar se Ruben Amorimi do të punojë me një buxhet më të ulët sesa paraardhësi i tij Erik ten Hag, i cili kishte shpenzuar 600 milionë funte në kohën e tij në krye të Unitedit.
Ten Hag kishte shpenzuar mbi 200 milionë funte vetëm gjatë kësaj vere, duke nënshkruar me pesë lojtarë./GazetaExpress/