×
  • Opinione
  • Opinione

    Ukraina, arti i marrëveshjes – A është Europa gati?

    Michael Ryan dhe Valbona Zeneli
    03 Mars 2025

    Nga: Michael Ryan dhe Valbona Zeneli

    Ky artikull është komisionuar nga “Friends of Europe”, duke ftuar anëtarët e Grupit Drejtues të Nismës për Ukrainën, për të ndarë pikëpamjet dhe rekomandimet e tyre. Ai synon të nxisë diskutimin dhe debatin mbi rolin e Europës në rrethanat aktuale. Pikëpamjet e shprehura u përkasin autorëve kontribuues dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish qëndrimin e “Friends of Europe”.

    “Askush nuk mund të garantojë suksesin në luftë, por vetëm ta meritojë atë”. – Sir Winston Churchill

    Këshilla e Churchill-it kumbon fuqishëm në këtë përvjetor të tretë të luftës në Ukrainë, teksa përballemi me humnerën e strategjisë së këtyre viteve “as long as it takes” (për aq kohë sa do duhet). A e meriton Europa suksesin në këtë luftë? Po Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Pa dyshim që ukrainasit e meritojnë fitoren, por përpjekjet tona të deritanishme nuk e kanë mbështetur mjaftueshëm luftën e tyre të guximshme për të arritur një fitore të qartë në fushën e betejës. Dështimi ynë për të vendosur një objektiv të qartë strategjik – fitoren e Ukrainës ndaj Rusisë deri në një datë të caktuar – ka minuar përpjekjet tona kolektive, duke mos përcaktuar një qëllim të qartë për të gjithë. Në këtë skenë shfaqet Presidenti Trump, me një objektiv të qartë: ndalimin e luftës. Ky është një rezultat i dëshiruar që të gjithë e kuptojnë e dëshirojnë. Për këtë qëllim, Presidenti Trump, si mjeshtër i marrëveshjeve, është i gatshëm të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Aktualisht, Europa duket se është jashtë kësaj marrëveshjeje ose të paktën ekziston shqetësimi se Presidenti Trump nuk do të ftojë në tryezë përfaqësuesit europiane, ose do t’i ftojë ata shumë vonë për të ndikuar në mënyrë domethënëse në rezultatin e negociatave. Ndërkohë, Presidenti Trump, mjeshtër i spektaklit në të njëjtën kohë, po rrit nivelin e zhurmës, duke prishur rrjedhën e zakonshme të punëve dhe duke vendosur pozicione maksimaliste – siç bën gjithmonë – në përpjekjen e tij për të fituar garën më të madhe gjeopolitike të kohës, jo kundër Rusisë, por kundër Kinës.

    Atë që Presidenti Trump e konsideron në interes të SHBA-ve është edhe prioriteti i tij. Nuk është rastësi, pra, që Kryeministri Modi i Indisë pati një vizitë shumë të suksesshme në Uashington në prag të gjithë kësaj. Në botën de facto multipolare që u shfaq gjatë administratës së fundit amerikane, Presidenti Trump duket se është i vendosur, bazuar në përvojën e katër viteve të tij të para, ta rindërtojë botën e re në interes të Amerikës. Europa, megjithatë, është burimi më i madh i të ardhurave për Amerikën dhe investitori kryesor në prosperitetin e SHBA-ve. Realiteti financiar i ekonomisë transatlantike, i kombinuar me fuqinë e madhe e të pamohueshme të NATO-s, mund të shfrytëzohet nga europianët me zgjuarsi për të luajtur një rol udhëheqës me SHBA-të në formësimin e vizionit global të Presidentit amerikan dhe, në këtë mënyrë, të veprimeve të tij. Hapi i parë për Europën është të kuptojë se ngjarjet e sotme për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë janë pjesë e një strategjie më të madhe, e cila për Uashingtonin ka rëndësi të madhe. Duke marrë parasysh qasjen transaksionale të Donald Trump ndaj çështjeve globale – ku SHBA-të angazhohen vetëm në marrëdhënie nga të cilat janë përfituesi kryesor – si mund të angazhohet Evropa? Konkretisht, çfarë roli do të luajë Europa në procesin e Ukrainës apo në rezultatin përfundimtar, mbetet e paqartë.

    Megjithatë, roli që duhet të kërkojë Bashkimi Europian mund të përcaktohet ende nga vetë europianët, si lidhur me çështjen e Ukrainës, ashtu edhe në çështje të tjera në nivel global. Pyetja kryesore është: Si mund të përfshihet Europa në këto marrëveshje? Në terma amerikanë, përgjigja është e thjeshtë: duhet të paguash për të luajtur. Që nga Presidenti Eisenhower e deri më sot, çdo president amerikan është ankuar për mungesën e angazhimit financiar të Europës në mbrojtjen e saj. IshSekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, e shprehu këtë pa mëdyshje në fjalimin e tij të lamtumirës në NATO, në qershor 2011: “Realiteti i thjeshtë është se do të ketë një dëshirë dhe durim në rënie në Kongresin Amerikan – dhe në politikën amerikane në përgjithësi – për të shpenzuar fonde gjithnjë e më të vlefshme në emër të vendeve që duket se nuk janë të gatshme të ofrojnë burimet e nevojshme apo të bëjnë ndryshimet e domosdoshme për të qenë partnerë seriozë dhe të aftë në mbrojtjen e tyre”. Për t’iu njohur merita, Europa – të paktën pjesa më e madhe e saj – ka rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes me mbi 30% nga 2021 në 2024, por kjo qartazi nuk mjafton. Për shkak të regjimit të saj të rreptë të sanksioneve kundër Rusisë, Europa tashmë po paguan një çmim të lartë, por në një lloj mënyre kjo nuk reflektohet në bilancin e Uashingtonit. Në aspektin transaksional, SHBA dhe BE duhet të punojnë së bashku nëse shqyrtohet dhe/ose vendoset heqja e sanksioneve ndaj Moskës. Sanksionet e BE-së janë edhe më gjithëpërfshirëse se ato të SHBA-ve. Ironikisht, BE-ja miratoi paketën e 16-të të sanksioneve në të njëjtën ditë me takimin SHBA-Rusi në Riad. Pra, sanksionet janë një nga arsyet pse Europa e ka fituar vendin e saj në tryezë. Nuk ka shumë kuptim që Presidenti amerikan të ofrojë lehtësime të sanksioneve nëse BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe partnerë të tjerë nuk janë të harmonizuar. Sanksionet u vendosën për arsye reale dhe nuk duhet të hiqen derisa Moska të ndërmarrë hapa konkretë për të riparuar këto shkelje. Ne nuk mund të bëjmë biznes me ose në Rusi derisa ajo të pranojë një marrëveshje paqeje të besueshme, të drejtë, të qëndrueshme dhe të zbatueshme për Ukrainën, si dhe respektimi i marrëveshjes të testohet gjatë një periudhe të zgjatur prove. Një tjetër thënie e njohur amerikane thotë se nëse luan, luan për të fituar. Nuk ka kuptim të paguash nëse nuk planifikon të fitosh. Këtu qëndron edhe kundërshtimi i shumë amerikanëve ndaj mbështetjes së pafundme për përpjekjet luftarake në Ukrainë. Nëse nuk synojmë të fitojmë, pse të shpenzojmë para? Tre vjet pas fillimit të luftës, me fitoren ende të pakapshme dhe me një marrëveshje të mundshme paqeje që duket se kushtëzohet nga humbja e një pjese të territorit ukrainas, të paktën përkohësisht, çfarë do të thotë të fitosh? Siguria afatgjatë është rezultati më i mirë i arritshëm dhe tani këtë do ta konsideronim si fitore. Prandaj, objektivat tani duhet të jenë ruajtja e Ukrainës si një shtet i pavarur, sovran dhe i lidhur me perëndimin, si dhe parandalimi i agresionit të mëtejshëm rus duke:

    1. Ndërtuar ushtrinë ukrainase në një forcë të vërtetë frenuese (deterrent force).
    2. Dislokuar një forcë europiane sigurie dhe garancie.
    3. Mbajtur një lloj ndikimi mbi Rusinë (mekanizmi i rikthimit të sanksioneve).

    Pra, për t’u përfshirë në marrëveshjen për Ukrainën, Europa duhet të angazhohet politikisht dhe financiarisht për këtë ‘fitore’ në përfundimin e negociuar të luftës dhe për të fituar paqen që pason. Çdo negociatë, pa dyshim, do të jetë komplekse, shpesh e vështirë dhe e zgjatur në mënyrë torturuese, pasi të dyja palët do të përpiqen të fitojnë avantazh dhe ndikim në tryezë përmes veprimeve në fushën e betejës dhe përtej saj. Prandaj, forcat e armatosura, qeveria dhe shoqëria civile e Ukrainës kanë nevojë për mbështetje të fuqishme, të qëndrueshme dhe të parashikueshme afatgjatë, e cila është e ndërtuar për të ruajtur paqen. Edhe tani, “vetëm duke u angazhuar plotësisht”, mund ta forcojmë pozitën negociuese të Ukrainës duke i dhënë kapacitetin e vërtetë për të kërcënuar me disfatë forcat ruse në fushën e betejës, duke i treguar njëkohësisht Rusisë se fuqia jonë superiore ekonomike do t’i shterojë burimet e saj.

    Duke kujtuar se prosperiteti ynë i përbashkët dhe mënyra jonë e jetesës janë të pandashme, Europa duhet të veprojë si një partner i barabartë, ashtu siç ka aspiruar gjithmonë të jetë, plotësisht e aftë për të përmbushur pjesën e saj në përpjekjet tona të përbashkëta. Ndikimi dhe reagimet me kujdes ndaj vendimeve zyrtare përmes proceseve të mirëmenduara do të ishin shumë më efektive dhe më pak stresuese sesa reagimi i menjëhershëm ndaj konferencave për shtyp dhe postimeve në rrjete sociale. Këtu vlen të përmendet deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Rubio, pas takimit të tij të parë me ministrin e Jashtëm rus, Lavrov, mbi objektivin amerikan për bisedimet specifike për Ukrainën si “një rrugë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë sa më shpejt, në një mënyrë të qëndrueshme, të vazhdueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët (theksuar)”. Ndërsa ky takim ishte hapi i parë në procesin e rivendosjes së dialogut SHBA-Rusi, është e rëndësishme të theksohet se hapi tjetër në këtë proces të përcaktuar ishte që Sekretari Rubio të telefononte dhe të konsultohej me homologët e tij të Kuintit Europian, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së dhe ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Duket se proceset normale diplomatike vazhdojnë, pavarësisht retorikës, duke lënë derën e hapur për Evropën. Si duhet të kalojë Europa përmes kësaj dere për të arritur qëllimet e saj? Në maj 2024, ne në “Friends of Europe”, publikuam një studim gjithëpërfshirës mbi pyetjen: Ukraina: kostoja e mosveprimit – Cili është rreziku për ekonomitë, politikën dhe demokracitë tona? Rekomandimet e tij tregojnë se Europa është e pozicionuar mirë për të marrë një rol udhëheqës në formësimin dhe zbatimin e një marrëveshjeje paqeje.

    Të gjitha janë në përputhje me kapacitetet dhe interesat europiane, nga mbështetja e vazhdueshme ushtarake te forcimi i qëndrueshmërisë ekonomike, nga prioritizimi i sigurisë energjetike te mbështetja për reformat kundër korrupsionit dhe qeverisjen, ndërkohë që lehtësohet kthimi i refugjatëve dhe rikuperimi demografik. Zgjerimi i rolit të Ukrainës në mbrojtjen dhe teknologjinë europiane do të ishte me përfitim të ndërsjellë. Përdorimi i aseteve të ngrira ruse për rindërtimin do të përshpejtonte përpjekjet dhe do të tërhiqte investime të mëtejshme. Më e rëndësishmja, sigurimi që procesi i anëtarësimit të Ukrainës në BE të mbetet në rrugën e duhur do të jetë kyç për të përforcuar aspiratat e saj euro-atlantike dhe për të garantuar një të ardhme paqësore dhe të begatë. Interesat e Europës janë qartësisht në rrezik në këtë marrëveshje, por në fakt, ato kanë qenë gjithmonë në rrezik në Ukrainë, edhe para protestave të Maidanit. Megjithatë, qasja gradualiste, e lindur nga frika – qoftë reale apo imagjinare – për përshkallëzimin e konfliktit, e ka inkurajuar kundërshtarin të veprojë lirshëm në Ukrainë, ndërsa politika dhe burokracia kanë gllabëruar kohën dhe burimet e Perëndimit në një shpresë të kotë për të shmangur një katastrofë edhe më të madhe. Në këtë pikë, duket se ajo që po bëjmë kolektivisht nuk po funksionon, mënyra si po e bëjmë nuk është e qëndrueshme dhe për këtë arsye, diçka duhet të ndryshojë – dhe shpejt!

    “Ora e Evropës ka aguar”

    – Jacques Poos, ministër i Jashtëm i Luksemburgut 1991

    Është e vërtetë se BE-ja dhe vendet e saj kanë përjetuar një “Zeitenwende” dhe kanë bërë përparime të jashtëzakonshme në fushat e energjisë dhe diversifikimit të burimeve të saj, sanksioneve kundër Rusisë dhe mbështetjes financiare për Ukrainën si edhe pritjen e refugjatëve. Megjithatë, përpjekjet e saj deri tani nuk janë të mjaftueshme, sepse situata mbetet e pazgjidhur. Tani është koha për të zgjedhur një rrugë më të mirë ose një të re. Në angazhimin tonë të përbashkët për një “multilateralizëm efektiv”, Europa shpesh anon drejt më shumë multilateralizmit, ndërsa amerikanët fokusohen më shumë në pjesën e efektivitetit. Kjo situatë i kërkon të dyja. Për të pasur një vend në tryezë dhe për të ndikuar në negociatat në mënyrë të favorshme, ne rekomandojmë këto veprime:

    Deklarimi i objektivit strategjik të Europës:

    -Një Ukrainë e tërë, e lirë, e pavarur dhe sovrane.
    -Një Ukrainë e fortë, e armatosur mirë dhe ekonomikisht e zhvilluar.
    -Një Ukrainë që përmbush plotësisht aspiratat e saj për integrim euro-atlantik.
    -Një popull ukrainas që ndihet i sigurt dhe në paqe brenda një Europe të lirë.
    -Një vend dhe një popull të rikthyer plotësisht në vendin e tyre të duhur në botë.

    Veprim i menjëhershëm për të vënë në dispozicion fonde për mbrojtjen, për investime në industrinë e mbrojtjes në Europë dhe një politikë të qartë për të hequr stigmatizimin e industrisë së mbrojtjes.

    -BE-ja duhet të përjashtojë shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë nga kufijtë e borxhit.
    -Banka Europiane e Investimeve duhet të ndryshojë në mënyrë të përshtatshme praktikat e saj të kreditimit për mbrojtjen.
    -BE-ja duhet të përdorë obligacionet për të siguruar fonde për investime në aftësitë mbrojtëse.
    -BE-ja duhet të lehtësojë kufizimet rregullatore për investimet në mbrojtje dhe të krijojë stimuj për bankat private që të financojnë projekte të mbrojtjes.
    -Të rriten investimet në projekte të përbashkëta ushtarake evropiane dhe të shfrytëzohen më mirë kapacitetet kërkimore dhe zhvillimore të kontinentit, për të krijuar një industri mbrojtëse evropiane më të integruar dhe të vetëqëndrueshme.

    -Duhet të shqyrtohet me urgjencë krijimi i një baze transatlantike të industrisë së mbrojtjes për të përmbushur nevojat e menjëhershme të Europës, SHBA-ve dhe partnerëve tanë.

    Vendosja dhe zbatimi i vijave të kuqe:

    -Lufta si mjet i politikës shtetërore nuk do të tolerohet më.
    -Sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës jetike nuk do të lejohen.
    -Rindërtimi i Ukrainës sipas standardeve europiane.
    -Përshpejtimi i anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe NATO.

    T’i sigurohen Ukrainës mjetet për të kërcënuar forcat ruse në territorin e tyre me disfatë:

    -Mjetet për të sulmuar çdo objektiv të ligjshëm ushtarak ose qeveritar.
    -Lejimin e përdorimit të armëve tona kudo për të fituar luftën.
    -Të gjitha materialet ushtarake të nevojshme për të zhvilluar operacione ofensive.
    -Të gjitha opsionet e mbetura të sanksioneve kundër Rusisë duhet të zbatohen tani.

    Të sigurohet rindërtimi i Ukrainës pas luftës sipas standardeve europiane:

    -Mjetet, ekspertiza dhe fuqia punëtore për të rindërtuar Ukrainën.
    -Kredi, grante dhe financime për këtë qëllim, si dhe mbështetje diplomatike nga të tjerët. -Integrimi i plotë i aktivitetit ekonomik të Ukrainës me Europën.
    -Krijimi i një pakete financiare për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës, e ngjashme me Fondin e Rimëkëmbjes nga COVID i BE-së.

    Përshpejtimi i anëtarësimit të Ukrainës të paktën në BE, nëse jo në NATO.

    “Epo, nëse doni një vend në tryezë, sigurohuni që të vini me propozime të rëndësishme”.

    – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte

    Teoricieni ushtarak prusian Carl von Clausewitz në shkrimin e tij famshëm thoshte: “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”. Kjo thënie sugjeron se edhe e kundërta është e vërtetë: “Politika është vazhdim i luftës me mjete të tjera”. Në garën e fuqive të mëdha, duket se kemi vetëm dy zgjedhje: të arrijmë objektivat tona politikisht, ose të luftojmë ushtarakisht. Ne kemi burimet, kemi retorikën dhe duket se kemi gjithnjë e më shumë vendosmërinë. Por, a mund të zhvillojmë në kohë mjetet politike fituese për të shmangur rezultatet ushtarake të padëshiruara? Një strategji politike fituese kërkon një fokus të ngushtë në integrimin koherent dhe zbatimin në kohë të të gjitha elementeve të fuqisë transatlantike në mbështetje të një strategjie fituese. Kjo, nga ana tjetër, do të mundësojë një multilateralizëm vërtet efektiv. Përballë kundërshtarëve autokratikë të vendosur, të cilët përdorin sistematikisht të gjitha mjetet e fuqisë së tyre, të koordinuara me qëllim për të na sulmuar në pikat tona më të dobëta dhe në momentet më të papërshtatshme, ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Çdo pozicion negociues i Moskës është thjesht një vazhdim i luftës me mjete të tjera dhe një mënyrë për të arritur të njëjtin qëllim. Prandaj, Europa duhet të marrë përgjegjësinë, të angazhohet dhe të fitojë.

    Nëse Europa dëshiron një vend në tryezë, duhet ta meritojë atë. Pasi të jetë në tryezë, çfarë do të propozojë BE dhe si do të funksionojë? Garancitë e sigurisë janë sfida më urgjente. Në këtë drejtim, pyetësori amerikan i dërguar aleatëve do të pyeste secilin prej tyre: “A do të ishin të gatshëm të vendosnin trupa në terren në rast të një armëpushimi? Çfarë aftësish të tjera do të ishin të gatshëm t’i ofronin Ukrainës për të garantuar sigurinë e saj në mënyrë të qëndrueshme”? Disa vende, si Mbretëria e Bashkuar më saktësisht sugjeruan vendosjen e trupave të tyre me mbështetje të SHBA-ve. Mësimet nga periudha pasluftërave në Ballkan në fillim të viteve 1990 dhe hezitimi i Presidentit Clinton për të dërguar trupa amerikane në atë rajon ofrojnë një model të mundshëm për Europën për të dërguar trupa në Ukrainë. Në atë kohë, Europa kërkonte qasje në kapacitetet dhe asetet e NATO-s, përfshirë Strukturën e Komandës së NATO-s, për operacione të udhëhequra nga europianët në interes të Europës, pa përfshirjen e forcave luftarake amerikane. Zgjidhja ishte krijimi i Identitetit Evropian të Sigurisë dhe Mbrojtjes (ESDI) brenda NATO-s, në të cilin SHBA-të do të siguronin aftësitë strategjike që vetëm ato i zotërojnë, si transporti strategjik dhe asetet e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit (ISR). Në këtë mënyrë, SHBA-të ofronin një garanci mbështetëse për veprimet ushtarake europiane.

    Pas samitit BlairChirac në St. Malo në 1998 dhe krijimit të Politikës Europiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes (ESDP) brenda BE-së, u negociuan Marrëveshjet Berlin Plus, të cilat i dhanë BE-së akses në asetet dhe kapacitetet e NATO-s, si dhe mbështetjen strategjike amerikane. Të gjitha këto tashmë janë në dokumente të miratuara dhe të dakorduara. Prandaj, ekzistojnë tri opsione si zgjidhje të mundshme për një garanci të fortë të sigurisë në terren për Ukrainën, opsione që ofrojnë hapësirë për manovrim në negociata. Së pari, duke pasur parasysh që mungesa e trupave të NATO-s në Ukrainë është një kusht shumë i mundshëm, një mundësi do të ishte dërgimi i trupave europiane nën flamurin e BE-së përmes një operacioni Berlin Plus. Kjo do të siguronte që të gjitha palët e përfshira ta kuptojnë se si NATO, ashtu edhe SHBA-të, kanë një rol të rëndësishëm dhe janë të gatshme të mbështesin misionin e BE-së, nëse Rusia sfidon në ndonjë mënyrë zbatimin e marrëveshjes së paqes. Një operacion Berlin Plus duket të jetë mënyra më e shpejtë, më e lehtë dhe më e fuqishme për të komanduar dhe kontrolluar në mënyrë efektive një operacion shumëkombësh në Ukrainë. Natyrisht, Rusia do të kundërshtojë në parim, por ajo që do të frikësohet në të vërtetë është forca reale që kjo prani ushtarake do të sjellë pas garancisë së sigurisë për Ukrainën. Opsioni i dytë, i cili përfshin më pak angazhim të drejtpërdrejtë të NATO-s, gjithashtu bazohet në një marrëveshje Berlin Plus, por me një qasje të ndryshme. Në këtë rast, Zëvendëskomandanti Suprem Aleat për Europën (DSACEUR), në emër të NATO-s dhe BE-së, do të merrte përsipër planifikimin dhe gjenerimin e forcës për vendosjen e trupave, duke pasur parasysh nevojën për një reagim të shpejtë në përputhje me dinamikën e negociatave.

    Megjithatë, për vetë operacionin, një shtab ushtarak kombëtar europian do të shërbente si kornizë, ndërsa komandanti europian i forcës do të operonte nga një seli shumëkombëshe përpara, ndoshta brenda Ukrainës. Opsioni i tretë bazohet në nenin 44 të Traktatit të BE-së, i cili lejon që misionet e BE-së t’u delegohen një grupi shtetesh anëtare. Këto shtete do të merrnin përsipër organizimin, trajnimin dhe pajisjen e operacionit sipas mënyrës që e shohin të përshtatshme. Cilido qoftë opsioni që përzgjidhet në fund, propozimi fillestar duhet të jetë sa më i fuqishëm për të ndikuar në negociata. Së fundi, Rusia nuk mund të ketë veto mbi përbërjen dhe mandatin e forcës.

    Natyrisht, solidariteti politik europian është çelësi i besueshmërisë së këtij angazhimi. Megjithatë, në këtë cikël të ndërlikuar zgjedhor—si ai që sapo ka kaluar, ashtu edhe ai që vjen—vizioni i unifikuar për rolin e Europës në Ukrainë dhe në botë mbetet i paqartë, duke e shtuar frustrimin e Uashingtonit me partnerin e tij tradicional. E megjithatë, ky mund të jetë moment historik për Europën-nëse ajo zgjohet, përdor fuqinë e saj dhe luan për të fituar. Europa duhet të ngrihet, të hyjë në lojë dhe të fitojë. Në një botë të riformësuar nga Presidenti Trump, mund të mos ketë një shans tjetër.

    Michael Ryan, Ish-Zëvendësndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Europiane dhe të NATO-s në Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, anëtar i Bordit të Besuar të “Friends of Europe” dhe ligjërues mbi çështjet botërore dhe historinë ruse.
    Dr. Valbona Zeneli, Eksperte e lartë pranë Qendrës Europiane dhe Qendrës “Scowcroft” për Strategji dhe Siguri në Atlantic Council të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si edhe Eksperte e Lartë për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në “Friends of Europe”. /Gazeta Panorama

    Nga Rubrika
    Opinione12 Prill 2025
    Nëse ShBA-ja arrin të bindë pjesën tjetër të botës që të mbyllë tregjet për Kinën, kjo mund të jetë rënia e Xi...
    Opinione11 Prill 2025
    Nga: Ditmir Bushati Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas,...
    Opinione10 Prill 2025
    Burimi: The Guardian, Gordon Brown. Nëse duam të parandalojmë një recesion të panevojshëm global, na ka mbetur vetëm një dritare e ngushtë...
    Të tjera
    Lajme12 Prill 2025
    Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dje zhvilloi një bisedë miqësore me homologen e tij kosovare Vjosa Osmani-Sadriu gjatë takimit në margjinat e...
    Lajme12 Prill 2025
    Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi, ka reaguar ndaj mungesës së komunikimit nga Ministria e Ekonomisë lidhur me rritjen e fundit të...
    Lajme12 Prill 2025
    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar për njohjen nga Sudani, i cili u bë shteti i 119-të që ka njohur pavarësinë...
    Bota/Rajoni12 Prill 2025
    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Shqipëria e ka braktisur kryeministrin Edi Rama në prag të zgjedhjeve të 11 majit,...
    Lajme12 Prill 2025
    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova sot shënoi edhe një moment tjetër të...
    Lajme12 Prill 2025
    Sot, një lajm i rëndësishëm për shtetin e Kosovës erdhi nga Afrika, pas njohjes zyrtare të pavarësisë nga Republika e Sudanit. Ky...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.