Shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së, duke thënë se si shqiptar katolik ndihet tmerrësisht i fyer dhe i ofenduar nga formulimet neveritëse të Gjykatës Speciale, në aktakuzën kundër krerëve të UÇK-së, katolikët paraqiten si grup i veçantë.
Ai në një reagim në Facebook, ka shkruar se një tendencë e tillë qartësisht ka prapavijë të rrezikshme politike sepse të gjithë e dinë se shqiptarët kështu dëshiron t’i paraqes vetëm Serbia.
Reagimi i plotë i Ukajt:
Si shqiptar katolik dhe si qytetar i këtij vendi ndiehem tmerrësisht i fyer dhe i ofenduar nga formulimet neveritëse të Gjykatës Speciale, në aktakuzën e së cilës kundër krerëve të UÇK-së, katolikët paraqiten si grup i veçantë, bashkë me serbët, ashkalinjët e romët.
Një formulim i tillë është i marrë, puro politik dhe përbën një mega skandal, prandaj edhe duhet t’a shqetësojë secilin shqiptar, e veçanërisht shqiptarët katolikë.
E vërteta është se shqiptarët – katolikë, myslimanë, protestanë dhe të pafe – së bashku kanë zhvilluar luftë për liri, pavarësi dhe demokraci, në atdheun e tyre autokton, ku janë shtypur e vrarë nga regjimi barbar i Serbisë.
Një tendencë e tillë qartësisht ka prapavijë të rrezikshme politike.
Sepse ne të gjithë e dimë se shqiptarët kështu dëshiron t’i paraqes vetëm Serbia.
Një pretendim i tillë është ahistorik, jo etik dhe më së paku ka të bëjë me drejtësi. Prandaj, asnjë shqiptar nuk duhet ta gëlltit këtë intrigë të rrezikshme.