Kleriku i lartë në Mal të Zi, Peshkopi Joanikije, kryetari i përkohshëm i kishës pas vdekjes së Peshkopit Amfilohije, që po flitet si një nga favoritët për të udhëhequr këtë kishë, ka folur për Kosovën në një reagim, raporton Gazeta Express.
Joanikije, Peshkop i Budvës-Nikshiqit thotë se fshehtësia e Kosovës është fshehur në shpirtin e popullit, derisa, aty përmend Betejën e Kosovës.
“Fshehtësia e thellë e Kosovës dhe Metohisë është vulosur në shpirtin e popullit tonë dhe ajo vepron së paku që nga Beteja e Kosovës deri në ditët e sotme. Kjo fshehtësi u takon vetëm popujve që kanë një të kaluar të pasur, histori të madhe dhe kulturë të madhe”, ka thënë ai.
Tutje, i njëjti shton se nuk duhet të hiqet dorë nga identiteti, derisa flet për Kosovën.
“Këto janë gjëra thelbësore për identitetin e një populli dhe nga kjo nuk guxojmë të heqim dorë, sikurse që nuk guxojmë të heqim dorë nga shpirti ynë, mendia, kujtesa dhe gjithçka që përbën vlerë para Zotit dhe njerëzve”, ka thënë ai.
Pas vdekjes së peshkopit Amfilohje, Joanikije e ka zëvendësuar përkohësisht atë, derisa, është një nga pretendentët kryesorë për t’u emëruar në këtë pozitë.
Në maj të këtij viti, peshkopi Joanikije dhe shtatë priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe ishin arrestuar.
Peshkopi Joanikije dhe shtatë priftërinj të tjerë ishin arrestuar pas liturgjisë në Nikshiq.
Kujtojmë se ka pasur tensione edhe para krizës së pandemisë kur serbët bllokuan rrugët dhe krijuan parregullësi në parlamentin malazez si pasojë e votimit të një ligji të ri për liri fetare.