Shkolla Fillore “Xheladin Rekaliu” në Podujevë nuk ka zhvilluar procesi mësimor të premten dhe të hënën në këtë objekt. Mësimi në këtë shkollë nuk ka vijuar për shkak se një mësimdhënës ka rezultuar pozitiv për virusin korona, i cili ka pasur kontakte me pjesën tjetër të stafit të kësaj shkolle, dyshim ky që çoi në mbylljen e saj. Por, në testimin e bërë nga i gjithë stafi i kësaj shkolle, të njëjtit kanë dalë negativë për koronavirus.
Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama.
“Është mbyllur për shkak të dyshimit. I kemi testuar të gjithë dhe ata kanë rezultuar negativë”, ka thënë ajo.Pas kësaj, mësimi në këtë shkollë do të nis që nga nesër në skenarin A, sipas orarit të rregullt.
Në mbledhjen Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB), të mbajtur ditë më parë, është thënë se deri më tani në këtë komunë 4 mësimdhënës dhe 3 nxënës janë infektuar me virusin korona.Aktualisht në Podujevë aktivë me COVID-19 janë edhe rreth 80 persona. Gjatë 24-orëve të fundit, dy raste të reja janë konfirmuar pozitive, të dyja nga qyteti.Rasti i parë në këtë komunë ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po kjo komunë. Deri më tani janë raportuar 22 viktima. Që nga fillimi i pandemisë janë testuar rreth 2700 persona nga Podujeva. Prej tyre, rreth 700 kanë rezultuar pozitivë, ndërkohë që mbi 600 tashmë janë shpallur të shëruar