
Ndërsa raportimet mediatike sugjeruan se Mehdi Taremi mund të rikthehej në Iran për shkak të situatës së tensionuar në rajon, klubi i tij aktual, Olympiacos Piraeus, ka mohuar kategorikisht këto pretendime.
Sipas gazetës italiane Tuttosport, ish-sulmuesi i Interit, tashmë 33 vjeç, po shqyrtonte mundësinë e kthimit në atdhe, në një kohë kur shumë sportistë po kërkojnë të largohen nga zonat e prekura nga konflikti. Megjithatë, reagimi i klubit grek ishte i menjëhershëm.
Drejtori i komunikimit i Olympiacosit, Kostas Karapapas, i hodhi poshtë këto spekulime me një deklaratë të forte.
“Viktima e parë e luftës është gjithmonë e vërteta. Mos u besoni lajmeve të rreme dhe le të tregojmë respekt për atletët dhe për të gjithë njerëzit, atdheu i të cilëve është në flakë”, deklaroi Karapapas.
Kështu, Olympiacosi e bëri të qartë se lajmet për një largim të mundshëm të Taremit nuk janë të sakta.

Karriera e Taremit
Taremi shpërtheu me Persepolis, ku fitoi dy tituj kampion në vitet 2016 dhe 2017 dhe u shpall golashënuesi më i mirë i ligës në të dy sezonet. Ai pas kësaj përfundoi te Al-Gharafa në Katar.
Më pas kaloi në Evropë me Rio Ave, përpara se të transferohej te Porto, ku u shpall dy herë golashënuesi më i mirë i kampionatit portugez.
Në vitin 2024 u bashkua me Interin, ndërsa pas një sezoni u transferua te Olympiacosi.
Në nivel ndërkombëtar, Taremi ka zhvilluar 100 ndeshje me kombëtaren e Iranit, duke realizuar 54 gola. /Telegrafi/