Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, me bashkëpunëtorë.
Në kumtesën për media bëhet e ditur se ata patën diskutime konstruktive dhe përmbajtjesore lidhur me çështjet e interesit të përbashkët, përfshirë këtu rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në proceset institucionale, nevojën për ruajtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor ku bën pjesë edhe sistemi prokurorial, si dhe ngritjen e koordinimit në çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
“Duke e vlerësuar lartë angazhimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë në monitorimin e punës së sistemit prokurorial, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka potencuar se EULEX mbetët një nga partnerët me të rëndësishëm të institucionit të Prokurorit të Shtetit”, thuhet tutje në kumtesë.