Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka pritur sot në takim pune një delegacion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë.
Në komunikatën për media thuhet se Kelmendi i njoftoi të pranishmit me mënyrën e funksionimit, strukturën organizative dhe kompetencat e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe konkretisht për kompetencat e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe për sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni.
“Gjatë këtij takimi pati diskutime të frytshme lidhur me ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe pati diskutime për çështje të tjera profesionale me interes të përbashkët”.
“Po ashtu në këtë takim u diskutua edhe për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të memorandumeve, si dhe për formimin e ekipeve të përbashkëta të hetimit me qëllim të luftimit të të gjitha formave të krimit”, thuhet tutje në komunikatë.