Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha të martën se Turqia pret që të adresohen çështjet që po i dëmtojnë raportet me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se kërkimi i zgjidhjeve për konfliktet në Siri e Libi paraqet mundësi të reja për përmirësimin e marrëdhënieve.
Ankaraja është përplasur me Uashingtonin për disa çështje kohëve të fundit, përfshirë dallimet politike sa i përket situatës në Siri dhe blerjen e sistemit raketor rus nga Turqia. Si rezultat i këtyre mospajtimeve, Shtetet e Bashkuara e larguan Turqinë nga programi për aeroplanët luftarakë F-35.
Duke folur para ambasadorëve turq në Ankara, kryediplomati Cavusoglu tha se blerja e sistemit raketor S-400 nga Rusia është punë e kryer, duke shtuar se largimi i Turqisë nga programi për aeroplanët F-35 do të ndikojë negativisht në strategjinë e NATO-s për mbrojtje.
Ndryshe, Turqia ende nuk e ka uruar zyrtarisht Joe Bidenin për fitore në zgjedhjet presidenciale. Një gjë të tillë nuk e kanë bërë akoma as disa vende tjera, si Rusia dhe Kina.
Përplasjet e fundit të Turqisë me vendet perëndimore, përfshirë tensionet me Greqinë dhe grindjet me Francën duket se kanë ndikuar negativisht në ekonominë e këtij vendi pasi vlera e valutës kombëtare ka rënë në nivel rekord.