Policia turke i ndaloi dhjetëra persona të martën gjatë kërkimit për 167 të dyshuar, shumë prej tyre ushtarë aktivë, gjatë një operacioni kundër përkrahësve të Fetullah Gylenit, të cilin Turqia e akuzon për organizimin e puçit të dështuar në vitin 2016.
Ky aksion ishte pjesë e vargut të shtypjes së organizatës së Gylenit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara. Ai ka mohuar se ka qenë i përfshirë në tentimin për puç në korrik të vitit 2016, kur u vranë rreth 250 persona.
Autoritetet e nisën operacionin e kërkimit në provincën e Izmirit, ku e filluan kërkimin për 110 të dyshuar, përfshirë 16 pilotë, kolonelë dhe lejtnantë në 26 provinca. Sipas medieve lokale, 89 persona të dyshuar tashmë janë arrestuar.
Në një operacion tjetër, policia turke u vu në kërkim të 57 të dyshuarve në 15 provinca. Agjencia shtetërore, Anadolu, tha se 32 persona janë arrestuar, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Që nga puçi i dështuar, në Turqi janë arrestuar rreth 80.000 persona. Për më tepër, rreth 150.000 shërbyes civilë, personel ushtarak dhe të tjerë janë përjashtuar nga puna ose janë pezulluar. Mbi 20.000 persona janë përjashtuar nga ushtria.