Turqia është një nga tre aleatët strategjikë të Shqipërisë, por në datë 6 Tetor në media doli lajmi se Ankaraja do të furnizojë me dronë ushtarak Serbinë. Pandeli Majko, ministri i Diasporës në ABC u shpreh se populli shqiptar do ta mbajë shënim këtë veprim të Turqisë.
“Ne kemi tre marrëdhënie strategjike që kanë të bëjnë me tre fqinjët tanë të rëndësishëm, Turqia ka një distancë, por ne e konsiderojmë distancë goxha të afërt. Kemi të bëjmë me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. Turqia po furnizon me armatim Serbinë, po e dimë, mendoj se secilido e kupton që ne mbajmë shënim.
Në memorien e marrëdhënieve shqiptaro-turke kjo regjistrohet. Kaq. Do të mbetet e shkruar në memorien shqiptaro-turke, nuk thash po e shpallim armike Turqinë” tha ai. I pyetur nëse e shqetëson armatimi i Turqisë, Majko theksoi se “Furnizuesi i parë i Serbisë është Rusia. Në panik nuk duhet të jemi, sikur kanë ata miqtë e tyre, kemi edhe ne miqtë tanë” tha ai./Abc News