Nevojiten rreth 1500 € dhe për pak muaj do t’i harroni fotot dhe videot tuaja me kokën tullac, të cilën e keni pasur kompleks gjatë gjithë jetës. Numri i klinikave estetike të specializuara për mbjelljen e flokëve po rritet dita-ditës në Kosovë, pas kërkesës së madhe të klientëve nga mosha 22-55 vjeçare.
Klinikat e specializuara për mbjellje të flokëve konfirmojnë për Front Online kërkesat e mëdha të klientëve.
“Kërkesa më e madhe tek qytetarët është mbjellja e flokëve. Ajo është kërkesë për pamje estetike, duke u bazuar tek fakti që floku është aksesor i përditshëm që njeriu e mbanë dhe për me pas një dukje më të bukur janë kërkesat në klinikën tonë”, thuhet në përgjigjen e Klinikës VatanMed në Prishtinë.
Sipas drejtuesëve të Klinikës, mosha mesatare e klientëve që kryejnë këtë proces estetik të flokut është 22 vjeç.
Ndryshe nga femrat, gjinia mashkullore prijnë në kërkesën për mbjelljeve të flokëve.
“Mosha mesatare që vinë në Klinikë qoftë për mbjellje të flokëve, mjekrës dhe vetullave fillon nga mosha 22 deri 55 vjeçar. Kjo mbjellje bëhet në të dy gjinitë, por metodat janë dy dhe të ndryshme që përdorën, por 90% e meshkujve kërkojnë mbjellje të flokëve e 10% femrat”, thuhet në përgjigjen e klinikës.
Këtë shërbim qytetarët mund ta kryejnë me mbi një mijë euro.
“Çmimet për mbjellën e flokëve varirojnë. Varësisht prej periudhës, ndonjëherë mund të kemi edhe oferta kur mund të filloj nga 1000 euro deri 1700 por dallon nga metoda që përdoret dhe proceseve të tjera”.
Se është një trend në rritje e tregon edhe fakti se shumë personazhe publike janë duke e bërë këtë ndërhyrje.
Këtij fenomeni nuk i ka ikur as gazetari, Ridvan Berisha.
Berisha për Front Online ka treguar si erdhi deri tek marrja e vendimit për të ndryshuar dukjen e tij.
“Asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje me i mbjellë flokët, sepse gjithmonë i kam mbajtur të shkurtra. Ishte një bisedë me kolegët e mi në interesim e sipër. Rastësisht kam rënë në kontakt me një klinikë të specializuar dhe më bindën që është një procedurë pa komplikime dhe e thjesht që mund të ndikojë në pamjen time”.
Gazetari Berisha tregon se nuk u bë pishman pas ndërhyrjes.
“Ky ishte një vendim që e mora aty për aty, janë habitur nga vendimi im gruaja dhe miqtë. Nuk e kam bërë për trend vetëm ka qenë rastësi e vendimmarrjes time dhe nuk jam pishman”, u shpreh Berisha.
Berisha ka inkurajuar personat të cilët dëshirojnë të duken ndryshe të kryejnë këtë ndërhyrje.
Sipas tij, ja vlen të provohet kjo eksperiencë.
“Tash pas disa muajsh jam me një pamje që as unë nuk e kam besuar. Specialistët e klinikës janë munduar ta ndjekin vijën origjinale të flokut kur e kam pasur si fëmijë. Jam duke i ndjekur edhe disa seanca jam në kontakt me klinikën në Tiranë. Unë nuk kam pasur asnjë problem pas mbjellës së flokëve, por kushdo që e ndjenë vetën në nevojë për t’u dukur ndryshe ndoshta ja vlen”, rrëfeu Berisha për Front Online.
Përpos gazetarëve, edhe shumë politikanë kosovar i kanë mbjellë flokët, përfshirë këtu deputetin e AAK-së, Daut Haradinajn, deputetin e PDK-së, Elmi Reçicën, kreun e Socialdemokratëve, Dardan Molliqaj, etj./FrontOnline/