Janë në vëmendjen e krejt botës.
E për atë që do të ndodhë, në zgjedhjet e 3 nëntorit në Amerikë, të interesuar fort janë edhe kosovarët, shkruan FRONT ONLINE.
Duke e ditur rëndësinë që zgjedhja e Presidentit atje ka edhepër vendin ku jeton, prishtinasi Agim Makolli preferon demokratin Joe Biden për këtë post më para se kundër kandidatin i tij republikan, Donald Trump.
“Për shqiptarët më mirë me u zgjedh President është Joe Biden. Trumpi është republikan, nuk na do fort”,u shpreh ai për Front Online.
Edhe qytetarët e tjerë ia mbajnë anën demokratit para republikanit, shkaku se janë inatosur goxha shumë me këtë të fundin që sipas tyre po e favorizon Serbinë.
“Shyqyr që 99 % po hiqet ai (Trump). Amerikën krejt e dojmë, po njërin e keq askush nuk e do, as babën e keq njeriu nuk e do”, thotë një qytetar.
“Për shkak disa marrëveshjeve që nuk na përshtatën që i bëri Trumpi. Mendoj se Bideni duhet të zgjedhet President i Amerikës”, u shpreh qytetari tjetër Egzon Gashi për Front Online.
Fitoren e Bidenit në zgjedhjet presidenciale që janë pas 5 ditë larg, për një nuancë më të mirë në raport me Kosovën po e sheh edhe analisti Shkodran Ramadani.
“Me Bidenin do të mund të llogaritej në një bashkëpunim më të mirë mes SHBA-së dhe BE-së. Me Trumpin ky bashkëpunim do të ishte më i dobët për shkak se ai ka një mospërfillje ndaj BE-së. Mund të rezultojë në një politikë të pakoordinuar mirë”, u shpreh Ramadani për Front Online.
E në shoqatën “Miqtë e Amerikës” , thonë se pavarësisht zhvillimeve në Shtëpinë e Bardhë, një gjë kosovarët e kanë të qartë.
“Ne nuk kemi aleat tjetër tradicional. Tradicionalisht shqiptarët në të gjitha anketimet që bëhen rreth besueshmërisë për Amerikën dalin të parët”, u shpreh Agim Rexhepi, kryetar i kësaj shoqate.
Edhe të dhënat e Institutit Gallup tregojnë se askush më fort se kosovarët nuk i do punët e diplomacisë amerikane.
Rreth 82 % e tyrepajtohen me punët e lidershipit amerikan, të bëra në botë gjatë periudhës 2019 – 2020.