×
  • Opinione
  • Opinione

    Trumpi po e shtyn botën drejt recesionit, mësimet e vitit 2008 mund ta parandalojnë këtë

    Gordon Brown
    10 Prill 2025

    Burimi: The Guardian, Gordon Brown.

    Nëse duam të parandalojmë një recesion të panevojshëm global, na ka mbetur vetëm një dritare e ngushtë mundësie. Ndërkohë që Kina dhe ShBA-ja po shkëputen nga njëra-tjetra, luftërat tregtare po përshkallëzohen dhe po rrezikojnë të shndërrohen në luftëra monetare; ndalimet e importeve, eksporteve, investimeve dhe teknologjisë; si dhe shitjet masive të aseteve financiare do të shkatërrojnë miliona vende pune në mbarë botën. Duket pothuajse e pabesueshme që bota po vihet në gjunjë nga një ekonomi e vetme, jashtë së cilës jeton 96 për qind e popullsisë botërore e cila krijon 84 për qind të mallrave të prodhuara në nivel global. Por, edhe pse zyrtarë amerikanë kanë folur më parë për një politikë tarifore të stilit “përshkallëzo për të shpërshkallëzuar”, qëllimi i Donald Trumpit është të rikthejë prodhimin në ShBA dhe lehtësimi 90-ditor i disa tarifave nuk do të thotë se ai synon ta zbusë krizën.

    Lexo po ashtu: Bota siç e njihnim ka ndryshuar, askush nuk fiton nga lufta tregtare
    Të hënën, Keir Starmer paralajmëroi se bota nuk do të jetë më kurrë e njëjtë, dhe na kujtoi se “përpjekja për të menaxhuar krizat, pa ndryshime themelore, çon vetëm në një rënie të kontrolluar”. Ai ka të drejtë. Siç mësova nga kriza financiare e vitit 2008, problemet globale kërkojnë zgjidhje të koordinuara në nivel global. Na nevojitet një përgjigje e guximshme dhe ndërkombëtare që përputhet me përmasat e emergjencës. Ashtu siç – me të drejtë – kryeministri ka ndërtuar një koalicion në mbrojtje të Ukrainës, kemi nevojë për një koalicion të partnerëve: liderë botërorë me të njëjtin mendim të cilët besojnë se në një botë të ndërvarur duhet të koordinojmë politikat ekonomike përtej kontinenteve – nëse duam të mbrojmë vendet e punës dhe standardet e jetesës.

    Sfida e menjëhershme është të zbuten tronditjet nga ana e ofertës të shkaktuara nga “muri tarifor” i Trumpit. Siç po propozon Rachel Reeves, ne duhet të mbajmë tregtinë botërore në lëvizje. Asnjë krizë nuk është njësoj me një tjetër, por ofrimi i kredive të zgjatura për firmat eksportuese dhe importuese ishte një pjesë thelbësore e reagimit global kur tregtia u shemb në vitin 2009. Po ashtu, duhet t’ia kujtojmë Kinës se, nëse dëshiron të paraqitet si kampione e tregtisë së lirë, është në interesin e saj të përqendrohet më shumë në zgjerimin e konsumit të brendshëm, sesa në përmbytjen e tregjeve botërore me mallra të lira që tani nuk mund t’i shesë në ShBA.

    Megjithatë, sfidat globale shkojnë përtej menaxhimit të tronditjes nga tarifat. Ringjallja e tregtisë nuk do të jetë e lehtë pa koordinuar politikat makroekonomike dhe financiare nëpër kontinente. Inflacioni global do të rritet edhe pasi të merret parasysh ndikimi deflacionues i eksporteve me çmime të ulëta nga Azia. Por, kjo tronditje është e zbehur përballë një problemi më të madh: rënia e besimit të konsumatorëve dhe ulja e investimeve të biznesit. Kjo do të thotë se mund të kemi nevojë për një ulje të sinkronizuar të normave të interesit – një nismë në të cilën ShBA-ja mund të përfshihet – mbështetur nga aktivizimi fiskal në vendet që kanë hapësirë për zgjerim.

    Institucionet tona ekonomike ndërkombëtare u ndërtuan mbi besimin se, nëse mirëqenia duhet të jetë e qëndrueshme, ajo duhet të jetë e shpërndarë; dhe se nuk mund të ketë sukses ekonomik nëse nuk je i gatshëm të veprosh kudo ku ka nevojë. Me apo pa ndihmën e ShBA-së, duhet të mobilizojmë menjëherë kapacitetin prej 150 miliardë dollarësh të granteve dhe huave të Bankës Botërore, si dhe fuqinë financiare prej një trilion dollarësh të Fondit Monetar Ndërkombëtar – veçanërisht për të ndihmuar ekonomitë më të cenueshme në zhvillim dhe më të goditura nga tarifat. Në vitin 2009, ishte kombinimi i kredive tregtare dhe i fondeve nga bankat shumëpalëshe që mbështeti ekonominë botërore me 1.1 trilion dollarë dhe parandaloi që recesioni të kalonte në depresion [krizë ekonomike].

    Një qasje e koordinuar na ofron mundësinë jo vetëm për të stabilizuar ekonominë botërore, por – për të përdorur këtu një shprehje nga viti 2020 – për të “rindërtuar më mirë”. Për Mbretërinë e Bashkuar, kjo do të thotë të punojë gjithnjë e më ngushtë me Bashkimin Evropian. Në fakt, ndryshimet që po ndodhin në Evropë e bëjnë të mundur një bashkëpunim që shkon përtej heqjes së pengesave tregtare pas Brexit-it. Ka ekzistuar gjithmonë një tension midis dëshirës së Evropës për të udhëhequr, që e bën të jetë e guximshme, dhe dëshirës për të mbetur e bashkuar, gjë që e bën të përmbajtur; por, sot Evropa ka një inflacion më të ulët se ShBA-ja dhe mund të ulë më shpejt normat e interesit.

    Shpenzimet me deficit të ShBA-së, që nga viti 2010 kanë qenë disa herë më të mëdha se ato të eurozonës, duke e lënë veçanërisht Gjermaninë me një borxh proporcionalisht shumë më të ulët. Me fleksibilitetin fiskal të cilin kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, si dhe BE-ja kanë krijuar, mund të injektohen burime të reja në ekonominë globale. Kjo mund të realizohet përmes zbatimit të raportit të [Mario] Draghit mbi konkurrueshmërinë evropiane, dhe do të plotësonte stimulimin e shpenzimeve nga Kina. Në të njëjtën kohë, marrëveshja për bashkëpunim në mbrojtje mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së duhet të zgjerohet për të mundësuar prokurime të përbashkëta dhe më të efektshme të armëve. Dhe, për të liruar burime diku tjetër, duhet të avancojmë diskutimet mbi një fond evropian për mbrojtjen dhe sigurinë, jashtë bilancit zyrtar, me një qëllim të posaçëm.

    Evropa mund të detyrohet të udhëheqë edhe në një aspekt tjetër – nëse ndonjëherë vihet në dyshim gatishmëria e ShBA-së për të vepruar si huadhënësi i fundit për botën. Bordit për Stabilitet Financiar Global duhet t’i kërkohet të raportojë menjëherë për rreziqet që mund të kërcënojnë stabilitetin brenda sektorit bankar dhe atij jobankar. Nëse është e nevojshme, Banka Qendrore Evropiane mund të ftohet të mbushë boshllëkun e lënë nga ShBA-ja (të cilin Kina po përpiqet ta zaptojë), duke zgjeruar marrëveshjet për këmbime valutore me një grup më të gjerë vendesh që kanë nevojë për mbështetje likuiditeti.

    Veprimi i koordinuar shumëpalësh është thelbësor nëse Britania dëshiron të sigurojë rritjen ekonomike – që na nevojitet – të nxitur nga eksportet. Kjo rritje do të përshpejtohet nëse fokusohemi në politikën industriale për të forcuar sektorët konkurrues në aspektin ndërkombëtar – nga shkencat e jetës dhe inteligjenca artificiale, te tranzicioni energjetik dhe industritë krijuese. Promovimi i këtyre qendrave të ekselencës globale kërkon, siç ka thënë kancelari, të investojmë më shumë në kërkim shkencor, zhvillim dhe aftësi të nivelit të lartë. Por, gjithashtu kërkon që të mbështesim një regjim konkurrence që nuk favorizon gjigantët e teknologjisë në dëm të konkurrentëve më të vegjël britanikë, apo të zbusim ligjet e të drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale që janë jetike për talentin krijues.

    Nën sulm nuk është vetëm sistemi ekonomik shumëpalësh, por çdo shtyllë e rendit ndërkombëtar e bazuar në rregulla – nga respektimi i ligjit, te vetëvendosja e kombeve dhe angazhimet historike për ndihmën humanitare. Në fakt, jemi dëshmitarë të një shpërbërjeje të njëkohshme të rendit ekonomik dhe atij gjeopolitik. Në një artikull vijues, do të propozoj se si mund të ndërtojmë një rend të ri nga ato që po shndërrohen me shpejtësi në rrënoja të së vjetrës. Por, më parë duhet të tregojmë se bota mund të veprojë së bashku për të mbështetur standardet e jetesës së njerëzve. Ta bësh këtë do të dëshmojë parimet themelore që janë në rrezik: se bashkëpunimi ndërkombëtar është në interesin tonë të përbashkët dhe se një botë me nacionalizma konkurrues e me mendësi të lojës me rezultat zero na lë të gjithë më të varfër dhe më pak të sigurt. /Telegrafi/

    (Autori ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 2007-2010).

    Nga Rubrika
    Opinione18 Prill 2025
    Nga: Gjeneral Piro Ahmetaj Në kapacitetin e Senior Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Ballkanit dhe USA/ NATO-s, si dhe për shkak të angazhimeve...
    Opinione17 Prill 2025
    Nga: Chris Murphy / The Daily Telegraph Ekonomistët dhe analistët kanë kaluar dy javët e fundit duke u përpjekur me ngulm të...
    Opinione15 Prill 2025
    Burimi: The Guardian, Nesrine Malik. “Njerëzit flasin me të pavërtetën për Amerikën”, më tha dikur një gazetar i huaj me përvojë. Ka...
    Të tjera
    Kronika18 Prill 2025
    Është zhdukur një grua në Gjakovë. Sipas raportit policor, ajo është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendodhja e saj. Rasti po...
    Lajme18 Prill 2025
    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka treguar rrugën për krijimin e institucioneve të reja. Duke e komentuar dështimin e dytë të konstituimit...
    Bota/Rajoni18 Prill 2025
    Industria e ndërtimit kritikon marrëveshjen e koalicionit ndërmjet CDU/CSU dhe SPD, lidhur me përgjysmimin e kontingjentit të forcave të punës nga vendet...
    Lajme18 Prill 2025
    Bekë Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në një prononcim për “Front Online” ka folur pas dështimit të seancës së...
    Kronika18 Prill 2025
    Policia në Gjilan njofton se gjatë një jave ka shqiptuar 1 mijë 852 gjoba. Në kumtesën për media theksohet se gjatë kësaj...
    Bota/Rajoni18 Prill 2025
    Qeveria e Ukrainës ka njoftuar nënshkrimin e planit të një marrëveshjeje mineralesh midis vendit të shkatërruar nga lufta dhe SHBA-së, raporton BBC,...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.