Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ndërmarrë një hap të diskutueshëm duke ndryshuar ligjin zgjedhor përmes një urdhri ekzekutiv.
Sipas rregullave të reja, të gjithë votuesit do të jenë të detyruar të tregojnë prova të shtetësisë – që në Amerikë është pasaporta – në qendrat e votimit, ndërsa votat me postë që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve nuk do të numërohen më.
Ky vendim është në përputhje me qëndrimet që Trumpi ka shprehur prej kohësh, veçanërisht duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2020 kundër Joe Bidenit, të cilat ai vazhdon t’i cilësojë si të “vjedhura”, megjithëse hetimet nuk kanë gjetur prova për mashtrim të tillë.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet e miratuara mund të pengojnë miliona amerikanë të votojnë. Statistikat tregojnë se rreth 146 milionë qytetarë nuk kanë pasaportë, ndërsa nëntë për qind e popullsisë nuk ka dokumente të gatshme që dëshmojnë shtetësinë.
Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur vendimin, duke argumentuar se masat synojnë të parandalojnë votimin e emigrantëve të paligjshëm. Megjithatë, hetimet kanë treguar se ky fenomen është i rrallë dhe nuk ka ndikuar në rezultatet zgjedhore.
Për më tepër, urdhri i Trumpit i jep qeverisë federale të drejtën të ndalojë financimet për shtetet që nuk zbatojnë rregullat e reja. Megjithatë, ky vendim pritet të përballet me sfida ligjore dhe mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë.