Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se Agjencia e Shërbimeve Qeveritare (GSA) nuk e përcakton se kush do të jetë president i ardhshëm i SHBA-së.
GSA-ja, agjencia federala që mbikqyrë tranzicionin, ka thënë se tani e pranon Joe Bidenin si fitues të dukshëm të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
“Mos harroni, GSA-ja ka qenë e jashtëzakonshme, dhe Emily Murphy ka bërë punë të madhe, por GSA-ja nuk e përcakton se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së”, ka shkruar Trump në Twitter.
Trump më në fund është pajtuar që të nisë procesi i tranzicionit.
Biden formalisht do të prezantojë personat e parë që i ka zgjedhur për kabinetin e tij, ndërsa ka nisur procesi i tranzicionit.
Shumë nga anëtarët, që janë bërë të njohur tashmë, janë ish-kolegë të Bidenit nga administrata e Obamas.
Anthony Blinken është nominuar për Sekretar të Shtetit, John Kerry, do ta udhëheqë tentimin e administratës për ta luftuar ndryshimet klimatike, Avril Haines, është nominuar si drejtoreshë e inteligjencës nacionale, Alejandro Mayorkas, udhëheqës i agjencisë kryesore të zbatimit të ligjit dhe emigracionit, Jake Sullivan këshilltar për siguri nacionale në Shtëpinë e Bardhë dhe Linda Thomas-Greenfield, është nominuar ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.
Janet Yellen pritet të zgjidhet sekretare e Thesarit.
Si funksionon tranzicioni?
Duke filluar nga tani e deri në inaugurimin e tij më 20 janar, presidenti i zgjedhur Joe Biden, do të fillojë ta ndërtojë administratën e re, e cila do ta nisë punën për realizimin e vizionit të tij politik si dhe për të trajtuar menjëherë çështjet e sigurisë kombëtare.
Biden tani mund të marrë fonde të caktuara nga Agjencia e Shërbimeve Qeveritare (GSA) dhe të ketë qasje në informacionet e inteligjencës, në bazë të një ligji të vitit 1964, që ka si qëllim realizimin e një tranzicioni të rregullt të pushtetit ekzekutiv, shkruan “Zëri i Amerikës”.
Ekipi i tranzicionit fitoi qasje në një domen qeveritar interneti dhe emaili, duke krijuar pa humbur kohë një faqe të quajtur buildbackbetter.gov.
Biden do të marrë informacion sekret në lidhje me kërcënimet e sigurisë kombëtare, operacionet e fshehta ushtarake dhe vendimet në pritje që mund të ketë administrata Trump për një përdorim të forcës ushtarake.
Anëtarëve të ekipit tranzicionit dhe njerëzve të zgjedhur për postet e sigurisë kombëtare do të fillojnë t’u jepen lejet e sigurisë, të nevojshme për kryerjen e detyrave të tyre. Të emëruarit kryesorë mund të marrin pjesë gjithashtu në seanca orientuese për t’i njohur ata me punën dhe praktikat e agjencive qeveritare.
Administrata Trump do të kryejë me stafin e Biden ushtrime për të provuar gatishmërinë për situata emergjente.
Krerët e agjencive qeveritare do të fillojnë të punojnë me zyrtarët e tranzicionit në mënyrë që të sigurojnë një kalim të qetë dhe ekzekutim të pandërprerë të operacioneve qeveritare. Kjo përfshin fusha të tilla si komunikimi me ekspertët e shëndetit publik në lidhje me planet e shpërndarjes së vaksinave të koronavirusit.
Ekipi i presidentit të zgjedhur do të ketë në dispozicion deri në 6.3 milion dollarë për operacionet e tij të tranzicionit. Ai do të ketë qasje në hapësirat federale, duke përfshirë zyrat ku Biden do t’i bëhen raportimet për çështjet e ndjeshme të inteligjencës.