Ish-presidenti Donald Trump tha të martën mbrëma se nëse ai fiton Pensilvaninë, ai fiton “të gjithë garën”, ndërsa mori pjesë në një emision radiofonik në Filadelfia dhe vazhdonte t’i nxiste votuesit republikanë të qëndrojnë në radhët e votimit.
“Nëse fitojmë Pensilvaninë, ne fitojmë të gjithë garën”, citohet të ketë thënë Trump, përcjell Telegrafi.
“Ne do ta bëjmë këtë vend më të madh se kurrë më parë, por ju duhet të qëndroni në radhë…”, ka thënë Trump.
Ndërkohë, një kërcënim për bombë shkaktoi evakuimin e një ndërtese qeveritare në West Chester, Pensilvani, ku ndodhen shërbimet e votimit, tha një zyrtar zgjedhor të martën në mbrëmje.
“Kishte një kërcënim me bombë për Qendrën e Shërbimeve Qeveritare në West Chester, PA”, ka shkruar Josh Maxwell, kryetar i Bordit të Zgjedhjeve të Qarkut Chester, në platformën e mediave sociale X.
Ndërtesa aktualisht është duke u kontrolluar nga qentë dhe do të kthehet në shërbim së shpejti nëse nuk gjendet asgjë, tha Maxwell në një postim tjetër.
Është vetëm një nga një varg kërcënimesh me bombë të raportuara në shtete të shumta në ditën e zgjedhjeve.
Georgia dhe Arizona kanë raportuar gjithashtu kërcënime jo të besueshme me bomba, me zyrtarët atje që thonë se dyshojnë se kërcënimet kanë origjinën nga Rusia. /Telegrafi/