Donald Trump për herë të parë e ka pranuar fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA, të rivalit të tij Joe Biden.
Përmes një postimi në Twitter ai tha se presidenti i zgjedhur Joe Biden “fitoi”, së bashku me pretendimet se votat ishin manipuluar kundër tij, ndërsa akuzoi mediat për fake news dhe heshtje, transmeton Gazeta Express.
“Ai fitoi sepse Zgjedhjet ishin të Manipuluara. ASNJË VËZHGUES nuk u lejua, vota e paraqitur në tabelë nga një kompani e majtë radikale në pronësi private, Dominion, me një reputacion të keq dhe ekip të paaftë, që nuk mund të kualifikohem për Teksasin (të cilin unë e fitova me më shumë!), Fake & Silent Media, dhe më shumë!”, shkruan Trump.
Ky nuk është pranimi i humbjes në mënyrën më të mirë, por paraqet një pranim domethënës nga Trump, i cili pavarësisht se humbi edhe Kolegjin Zgjedhor dhe votën e popullit, ka refuzuar ta ndjekë traditën për ta pranuar rezultatin ashtu siç është.
Liderët botërorë dhe ish-presidentët, përfshirë George HW Bush, e kanë konsideruar garën të përfunduar dhe i kanë dërguar Bidenit urimet e tyre. /GazetaExpress/