Janë “peshq të vegjël” në hierarkinë e futbollit shqiptar, por kanë përfunduar në “rrjetën” e SPAK.
Bëhet fjalë për një drejtues klubi të Kategorisë së Dytë, Përmeti, dhe një arbitër në kategoritë inferiore, të cilët janë vënë në pranga për paracaktim rezultatesh sportive, vepër penale e parashikuar në kodin penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri tha sot se ka kryer hetime dhe ka urdhëruar arrestimin e Qerim Ruçi, gjyqtar i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Po ashtu u prangos edhe Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.