Për një periudhë të shkurtër as një mujore, tri ngjarje të rënda, krim në familje kanë tronditur opinionin kosovar.
Sot dyshohet se Skënder Krasniqi ka vrarë të birin Albertin.
Një ngjarje tjetër e rëndë ndodhi më 30 dhjetor në familjen Zuka në Pozheran ku një burrë vrau bashkëshorten dhe dy djemtë e tij e më pas edhe veten.
Shokues për Kosovën ishte edhe vrasja e një burri në Prizren nga djali i tij.
Si ndodhën këto ngjarje:
Një vrasje ka ndodhur para pak minutash në rrugën “Ndue Përlleshi” të Prishtinës, ku një i ri është qëlluar me armë. I qëlluari është një biznesmen i njohur nga Prishtina, Albert Krasniqi. Ai dyshohet se është vrarë nga babi i tij, Skënder Krasniqi ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rastin e kanë konfirmuar edhe Policia, të cilët thonë se një person u gjet pa shenja jete në rrugën “Ndue Përlleshi” dhe një person u arrestua.
“Rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një vrasje te ndodhur ne rrugen ” Ndue Perlleshi” ne Prishtinë. Menjëherë pas marrjes se informatës policia ka dale ne vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr te gjitha veprimet e nevojshme qe konsistojnë ne hetimin e rrethanave qe karakterizojnë ngjarjen. Një person është arrestuar si dhe është konfiskuar nje arme qe dyshohet te jetë arma e përdorur ne rast”, thonë Policia .
Por, burime të sigurta kanë konfirmuar se viktima është Albert Krasniqi, ndërkohë që i arrestuari Skënder Krasniqi, babai i viktimës.
Ndryshe, Albert Krasniqi ka qenë i njohur për publikun edhe për martesën që kishte me ish-missin Besa Gashi.
Vrasja e katërfisht në Viti
Një vrasje e katërfishtë ka ndodhur më datën 30 dhjetor në fshatin Pozhoran të Komunës së Vitisë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se rreth orës 18:00, në fshatin Pozhoran, komuna e Vitisë, dyshohet të ketë ndodhur një vrasje e katërfishtë, motivet e së cilës për momentin ende nuk dihen.
Personi me inicialet F.Z., me armë zjarri ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, të ndjerën M.Z. dhe dy fëmijët e tij, të ndjerët H.Z. dhe A.Z., ndërsa në fund ka kryer vetëvrasje.
Djali vrau babën me thikë në Prizren
Një djalë rreth 30 vjeç e ka vrarë me thikë babanë e tij rreth 50 vjeç në lagjen Dardania në Prizren.
Haxhi Kabashi nga Policia e Prizrenit ka thënë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugë, ndërsa ka shtuar se në stacionin policor është duke u intervistuar një dëshmitar i cili e ka parë ngjarjen.
“Ngjarja ka ndodhur në rrugë. Një dëshmitar okular e ka parë ngjarjen. Ai është duke u intervistuar në stacionin policor”, ka thënë Kabashi nga vendi i ngjarjes.
Ai ka thënë se dyshohet se deri te vrasja ka ardhur si pasojë e një sherri në familje.