Eksporti i mallrave kosovare ka shënuar rënie në tre mujorin e parë të këtij viti, përderisa ka rritje të theksuar të importit. Kështu thuhet në raportin për vlerësimin tre mujor të ekonomisë të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), raporton portali Front Online.
Sipas këtij raporti, gjatë periudhës janar-mars 2024 eksportet kosovare kanë shënuar rënie prej 2.7%, duke e arritur vlerën e përgjithshme prej 211 milionë euro, krahas 217.1 milionë euro sa kane qenë në periudhën e njejtë të vitit 2023.
“Rënia e eksportit te mallrave kryesisht i atribuohet dobësimit të kërkesës së jashtme (sasia e mallrave të eksportuar shënoi rënie prej 18.1 për qind) dhe pjesërisht nga dinamikat e çmimeve në tregjet ndërkombëtare”, thuhet mes tjerash në raportin e BQK-së, raporton Front Online.
Në anën tjetër, mallrat e importuara në tre mujorin e parë të këtij viti arritën vlerën prej 1.37 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 9.5 për qind. “Struktura e mallrave te importuara vazhdon te dominohet nga importi i produkteve minerale, artikujt ushqimore dhe mjetet e transportit”, potencohet mes tjerash në raport.
/Front Online/