Ndonëse janë të thirrur për të monitoruar zbatimin e masave kundër përhapjes së Coronavirusit, shumë zyrtarë të Policisë së Kosovës u infektuan edhe vetë me COVID-19.
Që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në vendin tonë, në mesin e të infektuarve janë edhe 661 zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Nga shifra e përgjithshme e të infektuarve prej 661 rasteve, 592 zyrtarë të PK-së kanë mposhtur koronavirusin, ndërsa 9 kanë humbur betejën me virusin që ka origjinë nga Kina.
Aktualisht 60 policë janë raste aktive me COVID-19, ndërsa të hospitalizuar janë 3 të tjerë.
Për shkak të dyshimeve se mund të jenë prekur nga Coronavirusi, 108 zyrtarë të PK-së ndodhen në vetizolim.
Këto të dhëna i ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.
“661 të infektuar që nga fillimi i Pandemisë, 60 aktiv me COVID-19, 592 të shëruar, 108 në vetizolim / të dyshimt me COVID-19, 3 të hospitalizuar dhe 9 të vdekur”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, si pasojë e koronavirusit në vend janë shënuar 688 raste të vdekjes, numri i rasteve pozitive në total ka arritur në 20.179 raste, numri i të shëruarve është 15.611 raste, ndërsa numri i rasteve aktive është 3.880.