Javët e fundit në kampionatin elitar të Kosovës në futboll vit pas viti shoqërohen me akuza për manipulime apo “kurdisje” të ndeshjeve.
Pavarësisht akuzave, organet kompentente nuk është se kanë ndërmarrë ndonjë hap evident për parandalimin e dukurive të tilla, shkruan FrontOnline.
Këtë javë u raportua se shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA e ka bërë Kosovën “cak” të hetimeve për “trukime” të disa ndeshjeve në Superligën e Kosovës.
Dukuritë e tilla negative në futbollin e Kosovës i ka komentuar edhe trajneri dhe njohësi i futbollit kosovar, Agron Selmani.
Trajneri nga Ferizaj në një bisedë me FrontOnline ka deklaruar se “intervenimi” i UEFA-së në këtë drejtim nuk është gjë e mirë, por sipas tij nuk është asgjë “tragjike”.
“Gjithmonë ka diskutime për ‘kurdisje’ të ndeshjeve dhe gati se gjithmonë kjo temë është mbyllur ende pa filluar debati për të. Implikimi i UEFA-së nuk është gjë e mirë, por nuk është tragjik. Fundja, ky implikim është në mandatin e UEFA-së”, ka thënë Agron Selmani, duke vazhduar:
“Kurdisjet e dëmtojnë futbollin sepse motivojnë krijimin e rezultatit pozitiv jo në fushën e gjelbër. Në segmetin kohor, dikush përfiton momentalisht, por në kohën afatgjate, humbja është evidente. Dëmtohen dhe demotivohen futbollistët, trajnerët, drejtuesit si dhe sponsorët”.
Selmani e ka dhënë edhe “formulën” e luftimit të manipulimit të ndeshjeve në futbollin e Kosovës.
“Kurdisjet nuk mund të luftohen me ‘ndërgjegje’. Ato luftohen me auditim permanent të klubeve për dhe rreth pasqyrave financiare në klub, me transparencën e obligimeve kontraktueale për të gjithë punëmarrësit dhe punëdhënësit”, tregoi ai.
Për fund, ai ka treguar edhe motivet pse ndodhinë dukuritë e tilla në futbollin tonë.
“Kurdisjet mund të ndodhin për motive të ndryshme – motive të përfitimit material, motiv politik, shoqëror etj. Fakti se ka reagime edhe publike, tani edhe në fokus të UEFA-së, mjafton të besojmë se ka kurdisje të ndeshjeve. Se a kemi të drejtë, duhet të dëshmohet edhe me ndihmën e organeve kompetente”, përfundoi të dielën për FrontOnline Agron Selmani./FrontOnline/