Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina e ka komentuar humbjen e sotme të skuadrës së tij nga Drita.
Në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës, Drita mundi Arbërinë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë me rezultat 1:3, shkruan FrontOnline.
Pas ndeshjes, Morina është justifikuar për humbjen e sotme nga kampionia në fuqi e Kosovës.
“Jemi mysafir nga fillimi i kampionatit dhe për këtë jemi të penalizuar. Patëm mungesa të theksuara për shkak të kartonëve dhe për shkak të lëndimeve, madje disa futbollistë rrezikuan duke luajtur të lënduar”, ka thënë Morina në “ArtSport”.
“Megjithatë, me ata futbollistë që patë në dispozicion u munduam të kombinoheshim disi, por ishte e qartë që kualiteti ishte nën anën e Dritës, e cila me lojën e saj në mesin e fushës na bëri të vështirë ndeshjen”, tregoi ai.
“Golat i pranuam në mënyrë të lehtë, ndërkohë që na mungoi reagimi për të bërë diçka më shumë”, shtoi ai./FrontOnline/