Kishin humbur kontaktet me familjarët prej tre ditësh, dhe vetëm në orën 03:00 te mëngjesit të së enjtes u gjetën, por të pajetë. Trupat e inxhinierit Ismail Hoxha, dhe dy punonjësve Fatos Ceskut dhe Rruzhdi Rushitit u zbuluan brenda minierës se Balgjajt në fshatin Selishtë të Peshkopisë. I pari që u nxor nga nëntoka ishte trupi i inxhinierit 62-vjeçar i cili u gjet 20 metra thellë, te shkallët hyrëse në bizhanteri, e cila është pjesa lidhëse.
Mendohet se ai ka humbur jetën nga asfiksia në përpjekje për të dalë nga miniera ndërsa ka vënë re prezencën e gazit. 15 minuta me vone janë zbuluar trupat e dy punëtorëve që shoqëronin inxhinierin në kërkimin e kromit; Fatos Cesku 55 vjec dhe 33 vjecari Rruzhdi Rushiti. Ata u gjetën në thellësi të bizhanterisë rreth 80 metra nëntokë.
Ekipet e policisë u vunë në lëvizje nga Sami Hoxha, i vëllai i Ismalit njërit prej viktimave. Ai mori në telefon për ndihmë komisariatin e Dibrës të mërkurën rreth orës 18:15, pasi gjatë gjithë ditës kishte tentuar të fliste me celular me të vëllanë pa marrë përgjigje. Para se të njoftonte policinë Samiu, nisi vetë kërkimet.
Shkoi me makinë në zonën ku ndodhet miniera. Kontrolloi përreth dhe gjeti në kabinën e drunjte ku qëndronte inxhinieri dhe dy punonjësit, vetëm sendet e tyre personale, rrobat dhe celularët. Këto të dhëna përforcuan dyshimet se të tre ata mund të kishin mbetur të bllokuar në minierë. Me të marrë telefonatën e Sami Hoxhës, policia nisi operacionin e kërkimit.
Rreth 5 policë të komisariatit vendor dhe hetues mbërritën në zonë rreth orës 20.00. Pas konstatimit nga efektivët se në galeri kishte shpërthyer gazi metan është kërkuar ndihma e specializuar nga Reparti i Inspektim- Shpëtimit të Minierave. Në zonë nga Tirana mbërritën drejtori, 3 specialistë dhe zv/ministri Ilir Betja. Pasi janë siguruar për vdekjen e tyre, policia ka njoftuar familjarët. Ekipet hetimore thonë se pista me e besueshme e ngjarjes tragjike është helmimi nga rrjedhja e gazit që ka sjellë vdekjen.
Galeria ishte mbyllur që në vitin 2012, është rihapur sërish dhe mbyllur në vitin 2017, për t’u rihapur vetëm para një jave me leje kërkimore. Gjatë këtyre ditëve Ismail Hoxha kishte filluar dhe inspektime për të parë gjendjen në minierë. Vete ai kishte një eksperiencë të gjatë në këtë profesion pasi ka punuar prej vitesh ne gjeologji-miniera. Ismail Hoxha, ka lindur ne Deshat të Peshkopisë dhe banonte ne Tiranë, ndërsa dy viktimat e tjera Fatos Cesku dhe Rruzhdi Rushiti banonin në Bulqizë.
Ky i fundit nuk la pas asnjë familjar. Fatin e tij tragjik e pati dhe e ëma e cila humbi jetën para dy vitesh, pasi u godit për vdekje nga shembja e gurëve ndërsa po mblidhte krom në Bulqizë. Ne galeritë e kromit ndodhin shpeshherë rrjedhje të gazrave nëntokësore. Në 5 vitet e fundit numërohen 30 viktima./ Abcnews.al