Një tragjedi familjare ka ndodhur në Stamboll pasi një 33-vjeçar ka vrarë gjashtë persona, shumica e të afërm, përpara se ti jepte fund edhe jetës së tij.
Daily Sabah raporton se Bahtiyar Aladag së pari shkoi në shtëpinë e familjes së tij, në një ndërtesë katërkatëshe në lagjen Celaliye të Stambollit. Pas një debati të ashpër me të afërmit e tij, ai hapi zjarr duke vrarë të atin 65-vjeçar dhe duke plagosur për vdekje nënën e tij 55-vjeçare. Njëkohësisht ai ka plagosur edhe motrën e tij, 30 vjeçe.
Aksioni i tij vazhdoi kur shkoi në lagjen Avcilar, ku hyri në një sallon flokësh, duke vrarë 30-vjeçarin Mehmet Salih Ozcuk. Gruaja e viktimës dhe vëllai i saj, Gyokhan Soilu, 34 vjeç, u plagosën rëndë.
Më pas 33-vjeçari u largua me makinën e tij drejt Esenyurt. Aty, ai qëlloi dhe vrau kushëririn e tij 33-vjeçar, Sadan Serdar Buke. Menjëherë pas kësaj ai ka kthyer armën mbi veten duke i dhënë fund jetës.
Autoritetet zbuluan tre viktima të tjera pranë liqenit Buyukcekmece, rajoni Tepekent. Mes tyre, bashkëshortja e autorit, fëmija i tyre 10 vjeç dhe vjehrra e tij.
Sipas mediave turke, autori i ngjarjes së rëndë kishte një të kaluar kriminale, duke përfshirë akuzat për përdorimin e drogës. Në automjetin e tij u gjet një armë dhe nëntë gëzhoja bosh.
Autoritetet sakaq vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarje tragjike që ka tronditur Turqinë. /A2cnn