Tomë Gashi: Është paraqitur një person që ka njohuri për vrasjen e Astrit Deharit
Përfaqësuesi i familjes Dehari, Tomë Gashi, në një paraqitje live me prindërit e Astrit Deharit tha se në zyrën e tij janë paraqitur edhe disa persona rreth rastit të vrasjes së Astrit Deharit. Ai tha se është paraqitur edhe një avokat i cili ka qenë prezent në ditën kritike në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Ai ka deklaruar, po ashtu ka qenë jashtëzakonisht i frikësuar që ka pas gjëra jo të zakonshme”, tha Gashi.
Ai shtoi se është edhe një person tjetër që është paraqitur dhe që ka njohuri sipas tij të jashtëzakonshme rreth vrasjes së Astrit Deharit.
Gashi po ashtu shtoi se Prokuroria e ka mbajtur të fshehtë se dy javë më parë është bërë një rikonstruim i vendit ku ka ndodhur vrasja e Astrit Deharit.
Avni Dehari, babai aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, tha se janë bërë 4 vjet që nga vrasja e djalit të tij dhe sipas tij janë bërë shumë manipulime e prapaskena.
Ai thotë se kanë qenë të detyruar që të kërkojnë drejtësi jashtë Kosovës, pasi sipas tij, prokurori që ka qenë në Prizren e ka zvarritur këtë punë.