Nëse jeni të interesuar, detyra është të gjeni bagazhet e Tom Cruise të vjedhur në Angli, ku ylli i Hollivudit po xhiron vazhdimin e shtatë të serisë ‘Mission Impossible’, raportoi tabloidi The Sun të premten, transmeton FrontOnline.
Bagazhi ishte në makinën e truprojës së tij, e cila u vodh të martën mbrëma para hotelit në Birmingham ku ai qëndronte, shkruan The Sun.
“Ne jemi njoftuar për vjedhjen e një BMW X7 në Church Street në Birmingham, në orët e para të mëngjesit të së martës, 24 gusht”, konfirmoi një zëdhënës i policisë në West Midlands, por nuk zbuloi identitetin e pronarit.
“Makina u gjet së shpejti”, shtoi ai, dhe tha se hetimi po vazhdon me ndihmën e mbikëqyrjes me video.
Gjithçka u zhduk nga automjeti, tha një burim për The Sun dhe deklaroi se ishin bagazhet dhe gjërat e aktorit 59-vjeçar. Hajdutët duket se kanë përdorur një skaner të teknologjisë së lartë për të kopjuar kodin për të hapur dhe nisur makinën.
Ylli i filmit, i njohur për kryerjen e shumicës së skenave të rrezikshme vetë, ka tërhequr vëmendjen në Midlands të veriut të Anglisë gjatë gjithë javës dhe qytetarët kanë parë me interes xhirimin e disa skenave nga filmi i shtatë nga ‘Mission Impossible’, me protagonist ekspertin e spiunazhit Ethan Hunter./FrontOnline/