nfektologu Ilir Tolaj ka thënë se mbi 600 mijë njerëz në Kosovë e kanë kaluar koronavirusin.
Ai ka deklaruar se ky imunitet i krijuar po e ndihmon Kosovën që në valën e tretë të virusit mos të shënojë shumë raste të reja të infektuara.
“Unë e kam përcjell një trend dhe mendoj që në Kosovë mund të thuhet lehtësisht se mbi 600 mijë njerëz e kanë kaluar COVID-19. Studimet e fundit nga SHBA janë të atilla që vetëm 13 deri 18 %, varësisht se sa testime bëhen, identifikohen rastet që e kanë kaluar COVID-19, prandaj sipas kësaj përllogaritje nëse i kemi 70 ose 80 mijë të identifikuar me COVID-19 deri tash del që një numër ekstrem i lartë i rasteve e kanë kaluar atë. Ky imunitet i krijuar po e ndihmon Kosovën që në këtë valë të tretë, pas tubimeve në fushatë parazgjedhore, të mos kemi 3000-4000 raste të reja”, ka shtuar ai në Klan Kosova.
Ai ka thënë se “zgjedhjet e fundit në vend janë shkelja më brutale që i ka ndodhur masave kundër COVID-19 nga politikanët dhe autoritetet e Kosovës”.
“Këta politikanë, pavarësisht këta që janë në pushtet tash ose ata që kanë qenë në opozitë, nuk e kanë asnjë të drejtë. Edhe sikur të kishin të drejtë, mendoj që do të ishte e gabuar çfarëdo mase restriktive ekstreme, sepse situatën epidemiologjike nuk e kemi në atë nivel që të kemi të tilla masa, si dhe kapacitetet shëndetësore të Kosovës janë ende të mjaftueshme për të trajtuar këtë numër ose numër më të madh të të sëmurëve, por duhet vetëm një riorganizim”, shtoi ai.