Në një reagim ndaj vendimit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, deputetja Time Kadrijaj nga Alenca për Ardhmërinë e Kosovës e kritikoi qeverinë për qasjen e saj në këtë çështje.
Ajo e akuzoi qeverinë për krijimin e ligjeve që ajo i sheh si anti-kushtetuese, dhe që, sipas saj, janë në shkelje të parimeve të drejtësisë dhe të Kushtetutës.
Kadrijaj e theksoi se këto ligje nuk vetëm që janë të papranueshme nga pikëpamja ligjore, por gjithashtu dëmtojnë besueshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të Kosovës.
“Ne në çdo rast adresojmë shqetësimet e nuk rreshtim ti bëjmë publike e edhe kundërshtimet. Po kjo qeveri mashtruese me tendencën e kapjes se institucioneve po bën ligje anti kushtetuese, te cilat shkelje po i konfirmon edhe vet gjykata kushtetuese”, tha Kadrijaj për FrontOnline.
Deputetja Kadrijaj kritikoi gjithashtu performancën e qeverisë, duke theksuar mungesën e transparencës dhe llogaridhënies.
Sipas saj, këto probleme kanë kontribuar në një dëmtim të madh të imazhit të Kosovës si në nivel të brendshëm ashtu edhe në raport me aleatët ndërkombëtarë. Ajo akuzoi qeverinë për përdorimin e veprimeve ad hoc dhe të pa menduara në përpjekje për të ruajtur mbështetje politike dhe për të manipuluar opinionin publik, veçanërisht në një periudhë zgjedhore.
Kadrijaj e kritikoi gjithashtu qeverinë për qëndrimin e saj ndaj çështjeve të rëndësishme, duke pretenduar se ajo është më e interesuar për përfitime partiake të ngushta sesa për mirëqenien e vendit dhe për marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.
“Performanca e keqe e kësaj qeverie, jo transparenca jo llogaridhënia e kane dëmtuar këtë pushtet. Tash meqenëse jemi ne proces zgjedhor po mundohet me veprime ad hoc te pa menduara e te pa koordinuar dëshiron ti ruaj votuesit e ri ushqej militantet se jemi duke punuar për premtimet e dhëna. Bile, bile ankohen se deputetet dhe gjykata kushtetuese s’po na lejojnë te bëjmë reforma dhe përmbushjen e premtimeve”, deklaroi Kadrijaj.
Sipas saj, kjo qeveri ka dëmtuar rëndë vendin dhe ka kontribuar në një izolim të mëtejshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e bërë vendin më të sanksionuar dhe më pak të lidhur me aleatët e saj strategjikë.
“ Kjo qeveri e ka dëmtuar shtetin e po vazhdon ta beje çdo dite: S’po ju intereson çmimi i vendit po për baze e kane interesin e ngushtë partiak. Prandaj jemi vend i sanksionuar , zbehje te raporteve me aleatet tone dhe izolim i vendit!”, përfundoi Kadrijaj.
Opozita: Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë është veç për fushatë