Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, kundër të pandehurit F.M, për shkak të veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 të KPRK-së.
Prokuroria Speciale njofton se “i pandehuri F.M. më 19.10.2020, përmes rrjetit social “Facebook”, në Fushë Kosovë, me paramendim dhe dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese ndaj Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, me përmbajtje “shkurt e shqip duhet të vritet Qëndrim Gashi” dhe “ka si ti ende do vritet edhe ky qeni Qëndrim Gashi”, për shkak se i dëmtuari në profilin e tij në “Twitter” kishte postuar një karikaturë të profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së mësuesit në Francë, ashtu që i pandehuri me këto postime ka bërë thirrje me qëllim të shtytjes për kryerjen e aktit terrorist e duke shkaktuar rrezik që një apo më shumë vepra të këtilla të kryhen”.
“Me këto veprime i pandehuri F.M. ka kryer veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 134 të KPRK-së”, përfundon njoftimi i Prokurorisë Speciale.