Deputeti i VV-së, Hajrulla Çeku, ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Goran Rakiq, pasi ky i fundit ka thyer heshtjen zgjedhore.
Çeku në Facebook ka shkruar se thirrja e Rakiqit për të votuar subjektin të cilit i përket, për zgjedhjet lokale në Mitrovicën e veriut, “është shkelje e Ligjit për zgjedhjet”, duke shtuar se “nga ky moment as vota nuk është e lirë dhe as procesi nuk mund të jetë demokratik”.
“Para pak minutash, zëvendës kryeministri Goran Rakiq ka thyer rregullat e heshtjes zgjedhore, duke bërë thirrje të hapur që të votohet subjekti të cilit i përket. Kjo është shkelje e Ligjit për zgjedhjet dhe nga ky moment as vota nuk është e lirë dhe as procesi nuk mund të jetë demokratik në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij duhen inicuar masat e domosdoshme, duke filluar nga shkarkimi i tij”, ka shkruar ai.