Vendimi i Izraelit për të vonuar lirimin e palestinezëve të mbajtur në burgjet e tij, të cilët do të shkëmbeheshin me tre izraelitë të mbajtur në Gaza, është kriza e fundit që godet marrëveshjen e brishtë të armëpushimit.
Arsyeja e dukshme e vonesës ishin skenat kaotike të turmës në dy lokacione në Gaza, gjatë lirimit të tre izraelitëve sot, një i mbajtur nga Hamasi dhe dy nga Xhihadi Islamik Palestinez, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Në mënyrë të pashmangshme, të liruarit u shoqëruan nga shumë njerëz të armatosur që shoqëronin izraelitët e liruar për t’i dorëzuar Kryqit të Kuq për riatdhesim.
Në mes të lirimeve në Gaza, Netanyahu bëri një deklaratë që dënonte skenat me “ashpërsinë më të madhe”.
“Kjo është një provë shtesë e brutalitetit të pakonceptueshëm të organizatës terroriste Hamas”.
“Kërkoj që ndërmjetësit të sigurohen që skena të tilla të tmerrshme të mos përsëriten dhe të garantojnë sigurinë e pengjeve tanë. Kushdo që guxon të dëmtojë pengjet tona do të paguajë çmimin”.
Pak më vonë, zyra e tij informoi mediat se lirimi i palestinezëve sipas marrëveshjes do të vonohej derisa të “garantohej” lirimi i sigurt i pengjeve.