Ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë që të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sepse sipas tij, ato janë produkt i Republikës së Kosovës. Thaçi deklaroi kështu pasi iu lezua aktakuza e re në seancën e nisur sot në Hagë.
Ai tutje tha se gjatë këtyre katër viteve sa është duke u përballur me një proces tjetër gjyqësor është përballur me vlerësime keqinterpretuese për historinë e Kosovës.
“Tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese të historisë politike dhe kombëtare për lirinë, shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, më se paku nga viti 1980 deri më sot. Është një proces voluminoz”, tha Thaçi.
Ai theksoi se pret drejtësi dhe beson në drejtësi në procesin me të cilën po përballet, e në anën tjetër thekson se ai nuk paraqet rrezik politik për askën.
“Shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi, presim drejtësi dhe besojmë në drejtësi, Papritmas para 3 ditësh u informova për akuzën e re. E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, nuk paraqes rrezik politik për askënd. Prandaj kërkoj edhe sot, nga të gjithë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i Republikës së Kosovës” deklaroi Thaçi, ndërsa theksoi se lidhur me akuzën e re do të deklarohet me kohë brenda afatit ligjor.