Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesët e avokatëve për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Kështu ka vendosur gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou i cili veç e veç ua ka refuzuar kërkesat për lirim me kusht.
Në parashtresat e kryeprokurorit special, Jack Smith, pretendohet se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim.
Prokuroria në parashtresat kundër të akuzuarve po ashtu thekson pretendimin e saj se ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, të cilët thuhet se ish-krerët e UÇK-së kanë mundësi që t’i heshtin. ZPS-ja është ankuar se si organ i akuzës nuk kanë burime për t’i mbikëqyrur ish-krerët e UÇK-së nëse ata do të liroheshin përkohësisht.
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në Gjykatë Speciale në Hagë, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ata akuzohen për “pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”. Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë ishin katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi si dhe shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.