Zgjedhjet për kryetarin dhe organet drejtuese të LDK-së, pritet të mbahen maksimumi brenda 2 muajve. Ato janë shpallur pasi kryetari aktual Isa Mustafa dha dorëheqje një ditë pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ambiciet për këtë post nuk i ka fshehur anëtarja Melihate Tërmkolli. Ajo është e gatshme ta marrë timonin e LDK-së për të ndërtuar koncepti të ri politik që bazohet në rugovizëm.
Por, ka një parakusht për këtë.
““Zgjidhja mendoj se është duke i hyrë një procesi të ri jo me këta njerëz më udhëheqë atë proces të ri, duhet me u thirr Këshilli i Përgjithshëm, me caktu një lloj këshilli ose grup që më udhëheq procesin e zgjedhjeve që nga fillimi në LDK, për të dalë një strukturë, e cila është e përkushtuar për LDK-në që është rugoviane apo neu-rugoviane”, tregoi ajo për Front Online.
Në rast se nuk ndodh kështu, ajo thotë se LDK-ja do të shkojë drejt mbylljes si parti.
Si një bashkëpunëtore e anëtare e moçme e LDK-së, Tërmkolli thotë se fajet për rënie i ka krejt kryesia. Ndalet më shumë tek dy emra.
““Duke filluar nga kryetari që për mua ka qenë çudia më e madhe që qysh ka mundësi me kanë në LDK një njeri që nuk ka qenë kurrë në LDK, Isa Mustafa, një njeri anti- rugovistë thellësisht dhe një njeri që e ka udhëheq këtë parti me logjikën e përfitimit personal duke e bërë LDK-në një degë të PDK-së, më konkretisht Hashim Thaçin. Dhe pjesa tjetër po ashtu lidhet me qëndrimet e Vjosa Osmanit që LDK-në e bëri ose përpoq ta bëjë një nëndegë të VV-së, natyrisht nuk ka pasur ndryshe si të jetë”.