Në historinë e saj mbi 30 vjeçare nuk mbahet mend se u votua më pak ndonjëherë sesa në zgjedhjet e sivjetme të 14 shkurtit.
Lidhja Demokratike e Kosovës mori besimin veç të 13 % të qytetarëve.
Fajtorët për këtë i di mirë Melihate Tërmkolli që është gjatë pjesë e kësaj partie.
“Duke filluar nga kryetari që për mua ka qenë çudia më e madhe që qysh ka mundësi me kanë në LDK një njeri që nuk ka qenë kurrë në LDK, një njeri anti-rugove thellësisht dhe një njeri që e ka udhëheq këtë parti me logjikën e përfitimit personal duke e bërë LDK-në një degë të PDK-së, më konkretisht Hashim Thaçin. Dhe pjesa tjetër po ashtu lidhet me qëndrimet e Vjosa Osmanit që LDK-në e bëri ose u përpoq ta bëjë një nëndegë të VV-së, natyrisht nuk ka pasur ndryshe si të jetë”, u shpreh ajo për Front Online.
Si problemet, anëtarja e dikurshme e kryesisë, pohon se të qartë e ka edhe formulën për këndelljen e partisë.
LDK-së, sipas saj, i duhet ndërtimi i një koncepti të ri politik që bazohet në rugovizëm.
Ajo nuk e fsheh dëshirën që të jetë udhëheqëse e tij si kryetare e LDK-së, post për të cilin shpejt do të mbahen zgjedhjet pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm, Isa Mustafa.
“Unë mund të jem një prej kandidatëve sepse mendoj se duhet me dalë shumë kandidatë, jo një dhe dy. Duhet me pasë më shumë. Sigurisht që mund të jem”, pohoi ajo për Front Online.
Ish-kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së thotë se për këtë ekziston një parakusht.
“Zgjidhja mendoj se është duke i hyrë një procesi të ri jo me këta njerëz më udhëheqë atë proces të ri, duhet me u thirr Këshilli i Përgjithshëm, me caktu një lloj këshilli ose grup që më udhëheq procesin e zgjedhjeve që nga fillimi në LDK, për të dalë një strukturë, e cila është e përkushtuar për LDK-në që është rugoviane apo neu-rugoviane”, tregoi ajo për Front Online.
Tërmkolli gjatë karrierës së saj politike ka qenë deputete në disa legjislatura e po ashtu edhe ministre.