Turqia dhe Greqia u tronditën sot nga një tërmet i fuqishëm që ka lënë viktima dhe shumë të lënduar. Izmiri, qytet ku jetojnë edhe shumë shqiptarë është nga më të prekurit në Turqi.
Në një intervistë për Abc, Kozma Çupi student në Izmir u shpreh se deri tani numri i viktimave ka shkuar në gjashtë. Ai rrëfen edhe panikun që përjetoi në momentin që u regjistruan lëkundjet.
“Tërmeti zgjati rreth 30 sekonda. Ishte i fuqishëm, dolëm direkt nga shtëpia. Jemi mirë dhe nuk kemi pësuar asnjë lëndim. Në lagjen ku jetoj unë në Izmir nuk pati shumë dëme, por dy lagje të tjera në Bajrakli dhe Bornova.
Deri tani flitet se janë 6 viktima dhe shumë të plagosur. Edhe në ato dy lagje jetojnë shumë shqiptarë, por nuk kemi informacion për të lënduar. Kemi komunikuar me shqiptarët në ato 2 lagje, por edhe pjesët e tjera të qytetit, por nuk ka shqiptarë të lënduar”, u shpreh ai.