Andrew Cayley, njëri ndër avokatët e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli është tërhequr nga mbrojtja e tij.
Kjo është bërë e ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe në përputhje me rregulloren e Speciales.
Bashkë-avokati i Veselit, Cayley kishte bërë kërkesën për tërheqjen e tij më nëntë nëntor të këtij viti, me ç’rast edhe sekretari ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Veselit.
“Më 9 nëntor 2020, sekretari miratoi kërkesën e avokatit Andrew Cayley si bashkë-këshilltar për Veselin në përputhje me Seksionin 18 të Direktivës për Avokatin, në pritje të një vendimi përfundimtar mbi pranimin e Cayley në Listën e këshilltarit, ku më pas avokati ka informuar edhe zyrën e mbrojtës që synon të tërhiqet nga bashkë-këshilltari për Veselin”, thuhet në vendimin e ndërmarr të Gjykatës Speciale.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme më 25 nëntor sekretari i Dhomave të Specializuara edhe ka miratuar tërheqjen e njërit të avokatit të Veselit.
“Më 25 nëntor 2020, në përputhje me Seksionin 18 (6) të Direktivës mbi Avokatin, Avokati i konfirmoi Zyrës së Mbrojtjes qëllimin e Cayley për t’u tërhequr dhe informoi më tej Zyrën e Mbrojtjes se përfundimi i kontratës me Cayley do të arrihej pa ndonjë dëm material efekt në interesat e Veseli dhe kohëzgjatjen e procedurave. Po atë ditë, Sekretari miratoi tërheqjen e Cayley si Bashkë-Këshilltar për Veselin”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specialuzuara.
Më 5 nëntor të këtij viti, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Lajmin e kishte konfirmuar vetë Veseli përmes një deklarate për opinion, ku po ashtu kishte njoftuar se ka bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjet këtyre akuzave. Ku po atë ditë ai kishte treguar që do të udhëtojë drejt Hagës.
“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të Tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, kishte thënë Veseli.