Mbrëmë Ramush Haradinaj i quajti si tepër të papjekur kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetarin e LDK’së Isa Mustafa pse këta dy kundërshtuan kërkesën e tij për pezullim të dialogut shkaku i konfirmimit të aktakuzave për Thaçin e Veselin dhe zhvillimeve nga Specialja.
Haradinaj në KlanKosova tha se Avdullah Hoti duhet të pezullojë dialogun deri në një rivlerësim të gjendjes.
“Mundesh me pezullu dialogun deri në një kohë të caktuar, deri në një vlerësim të gjendjes tënde, gjendjes me aleatët, deri në në plotësim të disa kërkesave që mund t’i kesh, ndoshta mundesh me marrë njohjen e pesë vendeve të BE’së. Një sjellje e tillë nuk është në rregull as e Hotit e as e Mustafës, duhet me u sjellë si shtet”, ka thënë Haradinaj.
Hoti dhe Mustafa që para disa javesh kishin pasur përplasje virtuale me kreun e AAK’së për tema të tjera kësaj radhe kanë vendosur të heshtin përballë cilësimeve te Haradinajt.
Dje edhe ministri i AAK’së, Selim Selimi në mbledhjen e qeverisë kërkoi që të ndërpritet dialogu me Serbinë menjëherë, por shefi i tij Avdullah Hoti kundërrshtoi kërkesën e Selimit duke i thënë se dialogu nuk mund të ndërpritet.
“Duhet të respektojmë parimin e ndarjes së pushteteve, në veçanti ministri i Drejtësisë e ka të qartë këtë çështje, ne nuk ndërhyjmë as nuk komentojmë vendime të organeve të drejtësisë, në Qeverinë e Kosovës, nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, bazën ligjore e kemi të qartë se si sillemi në këtë situatë për t’i ndihmuar ligjërisht, Kushtetuta është e qartë se si procedohet më tutje kur vendi nuk ka president, secili prej juve duhet të vazhdojë me kapacitet të plotë. Ky është qëndrimi që duhet të mbajmë si qeveri”, ka thënë Hoti.