Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha të premten se pati bisedime “pozitive dhe konstruktive” me Ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, ndërsa dy fuqitë e mëdha garojnë për të çuar përpara agjendat e tyre në Azi në një kohë tensioni për shkak të ofensivës tarifore të Washingtonit.
Diplomati më i lartë i ShBA-së ishte në Malajzi në udhëtimin e tij të parë në Azi që nga marrja e detyrës, duke kërkuar të theksonte angazhimin e ShBA-së ndaj rajonit në Samitin e Azisë Lindore dhe Forumin Rajonal të ASEAN-it, ku shumë vende po përballeshin me një sërë tarifash të larta të SHBA-së të njoftuara nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, këtë javë.
Rubio pati bisedimet e tij të para ballë për ballë me ministrin e Jashtëm të Kinës, të cilat erdhën pasi Pekini paralajmëroi Washingtonin kundër rivendosjes së taksave të rënda mbi mallrat e saj muajin e ardhshëm dhe kërcënoi me hakmarrje kundër kombeve që arrijnë marrëveshje me ShBA-në për ta përjashtuar Kinën nga zinxhirët e furnizimit.
Wang kritikoi ashpër Uashingtonin gjatë bisedimeve me homologët aziatikë në Malajzi, duke i quajtur tarifat e SHBA-së “sjellje tipike unilaterale ngacmuese”.
Por të dyja palët e përshkruan takimin e tyre dypalësh si pozitiv dhe konstruktiv të premten. Dhe Rubio tha se shanset që Trump të takohet me Presidentin kinez Xi Jinping ishin të larta, shkruan Reuters.